Azem Syla dyshohet se i ka dërguar dy persona tek njëri prej dëshmitarëve të mbrojtur kundër tij. Njëri dyshohet se ka vizituar dëshmitarin gjatë kohës sa Syla ishte në paraburgim dhe tjetri pas daljes nga burgu.
Sekseri i parë i Sylës dyshohet se ka kërkuar nga dëshmitari që të mos dëshmojë kundër Dajës, ndërsa i dyti e ka pyetur dëshmitarin se a ka ndonjë porosi për Sylën.
Dëshmitari ka rrëfyer për Insajderin përvojën me këta ndërmjetës.
“Personi i parë që ka qenë në kohën sa ka qenë Syla në burg më ka kërkuar që mos të dëshmojë kundër tij. Vetëm Dajën ruje”, i kishte thënë ky person, pohon dëshmitari.
Ndërkohë, pak ditë pas lirimit të Azem Sylës nga paraburgimi, dëshmitari thotë se ishte vizituar nga djali i një shoku të Azem Sylës.
“Jemi tu shku me e vizitu Dajën. A ke ndonjë porosi për të”, i kishte thënë ky person dëshmitarit.
“Nuk kam kurrfarë porosije”, ia kishte kthyer dëshmitari.
Ndërmjetësi kishte kërkuar një takim mes dëshmitarit dhe Sylës për çka ai nuk kishte pranuar.
Ndërkohë, Prokuroria është njoftuar me këto tentativa të Azem Sylës. Ka arritur t’i incizojë këto takime.
Pas sigurimit të dëshmive, Policia të premten në mëngjes ka arrestuar Sylën me arsyetimin se ka tentuar të ndikoj në dëshmitarin e mbrojtur.
Avokati i Sylës, Tomë Gashi e ka quajtur skandal arrestimin e klientit të tij.
“Është skandaloze dhe duket e qëllimshme se pse EULEX-i nuk e ka arrstuar personin të cilin e dinë se kush është, atë që eventualisht e ka kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur, sepse EULEX-i e pranon se ata kanë qenë në objektin e dëshmitarit të mbrojtur kur kjo ka ndodhur dhe e kanë fotografuar personin që e ka kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur”, shkruan Gashi në Facebook.
Gashi gjithashtu ka njoftuar se sipas vendimit të Gjykatës, Syla sot do të dal përsëri para gjyqtarit të procedures paraprake.
Seanca për këtë rast u caktu të mbahet nga ora 11:30.
Azem Syla bashkë me grupin prej 52 personave dyshohen për tjetërsim të pronave në Çagllavicë dhe Llapnasellë.
Insajderi ka raportuar me një seri shkrimesh për rastin e njohur si “Toka”, ku Azem Syla si prijës i këtij grupi.
Dy ditë më vonë shkruajti se si Azem Syla kërcënoi dëshmitarin “F”- t’ia shiste tokën familjarit të tij. Madje ai i dha një ultimatum që pesë hektarë tokë të shiteshin brenda 48 orëve për 50 mijë euro, ndryshe do ta shihte se kush ishte Azem Syla.
Me 29 qershori Insajderi raportoi, se si “Daja” përzuri nga shtëpia e tyre, familjen e mikut që e strehoi në kohën e Millosheviqit. /Insajderi.com