Në qoftë se vjen një format i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë Rusia është e gatshme të përfshihet. Kështu të paktën po pretendon ministri i Inovacionit në Serbi, Nenad Popoviq.
Ai ka vlerësuar se në gjithë këtë atmosferë presioni, ndikimi rus është më se i nevojshëm.
“Në këtë atmosferë presioni të imponuar nga vendet perëndimore, mbështetja e Rusisë për respektimin e Kushtetutës sonë do të thotë se mund ta forcojmë pozicionin serb. Jam i bindur se nëse përfshihet Amerika, edhe Rusia është e gatshme”, tha Popoviq, transmeton Insajderi.
Sipas tij, shteti rus ka mbrojtur me ngulm të drejtat e Serbisë. Ai Moskën e ka cilësuar si shtet mik.
Popoviq beson se një fazë e re e dialogut, do të ishte më shumë se e nevojshme, dhe sipas tij kjo do të konfirmohet gjatë vizitës së Putinit në Beograd.
“Unë besoj se vizita e Putinit, përveç që do të konfirmoj raportet e shkëlqyera, do të jetë shtysë e re edhe për vazhdimin e dialogut”, theksoi ai.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen finale mes dy shteteve. Theksoi se taksa e vendosur së fundi dhe krijimi i Ushtrisë kanë vështirësuar situatën.
“Zgjidhja me siguri mund të arrihet përmes negociatave. Natyrisht negociatat nuk gbëhen përderisa pala kosovare vazhdon me vendime si Ushtria dhe taksa. Duhet thënë hapur se marrëvshjet e Brukselit tashmë janë të vdeekura. Vendimet duhet të hiqen, dhe të fillojë një fazë e re e dialogut”, përfundoi Nenad Popoviq. /Insajderi.com