Mustafa në New York, lobime për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në New York, ku do të zhvillojë takime me liderë të shteteve të cilët janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri, gjatë vizitës do të marrë pjesë edhe në evente të veçanta të organizuara nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama nga Fondacioni Clinton si dhe do të takojë shumë presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të delegacioneve shtetërore e drejtues të organizatave ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit atje, ku shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, Mustafa do të zhvillojë takime me përfaqësues të administratës amerikane, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj, drejtuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara si dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai, sipas një kumtese të kryeministrisë, do të kërkojë mbështetjen e vendeve partnere për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe do të lobojë për njohjen e Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë marrë këtë vendim.