Produktet e importuara vazhdojnë të shiten pa mbishkrime në gjuhën shqipe

Produktet e importuara vazhdojnë të shiten pa mbishkrime në gjuhën shqipe

Në tregun e Kosovës gjenden mjaft produkte ushqimore, jo ushqimore dhe medikamente të importuara pa mbishkrime në gjuhët shqipe, edhe pse kjo çështje është e rregulluar me ligjin për konsumatorët dhe me Kushtetutë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë vitit që lamë pas, ka hasur në gjashtë raste me produkte joushqimore të cilat nuk kanë plotësuar këtë kriter ligjor, prej tyre tri raste i kanë paraqitur në gjykatë përkatëse.

Edhe drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha për KosovaPress ka deklaruar se ka importe të produkteve pa deklaracion në gjuhën shqipe, të cilat kanë origjinë edhe nga Bashkimi Evropian.

Ministri i MTI-së Endrit Shala ka thënë për KosovaPress, se obligim ligjor mbetet që konsumatorëve kosovarë t’i ofrohen produkte sa më cilësore, njëkohësisht produkte me përmbajtje në gjuhë zyrtare.

Ministri Shala thotë se MTI është e përkushtuar që të gjitha produktet e importuara në Kosovë të kenë mbishkrimin në gjuhën shqipe, që është edhe obligim ligjor për kompanitë importuese.

Ai ka shtuar se MTI në momentin që hasë në mallra pa mbishkrime në gjuhë zyrtare ose shqipe, largon mallin nga tregu, derisa të vendoset në gjuhën zyrtare.

Sipas tij, ligji për mbrojtjen e konsumatorit e parasheh që secili produkt i cili shitet në Republikën e Kosovës nga data 21 dhjetor, duhet që në anën e majtë të çmimit, të ketë edhe flamurin e origjinës së atij produkti.

Një pjesë të përgjegjësisë për përmbajtjen e produkteve ushqimore e mbajnë edhe autoritetet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës(AUV). Ndërsa, nga AUV nuk kanë gjetur asnjë rast.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, nuk ka treguar nëse kanë ndëshkuar ndonjë subjekt ekonomik, por ka thënë se AUV nuk lejon që të dalin në treg produkte pa qenë emërtimi i saktë në gjuhën shqipe sa i përket edhe përmbajtjes.

Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Sherif Fejzullahu tha se në të gjithë sektorët ka disa produkte të cilat nuk kanë mbishkrime në gjuhën shqipe.

Fejzullahu ka kërkuar që të largohen nga tregu të gjitha produktet që nuk janë të etiketuara në gjuhët zyrtare.

Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës pohojnë se kjo dukuri pa mbishkrime në gjuhën shqipe është evidente dhe kanë kërkuar nga inspektorët dhe mekanizmat tjerë zbatues të ligjit që të ndërmarrin masa.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Berat Rukiqi ka thënë se në tregë duhet të krijohet konkurrencë e barabartë duke ulur infomalitetin, ngaqë një pjesë e bizneseve janë të diskriminuara për shkak se ligji nuk zbatohet njëjtë për të gjithë.

Me këtë problem me produkte të cilat nuk janë të etiketuara në gjuhën shqipe, po përballet edhe Shqipëria.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka për KosovaPress, thotë se edhe Shqipëria ka të njëjtin problem ku institucionet përkatëse tolerojnë mungesën e theksuar të informacionit që duhet të marrë konsumatori.

Mos deklarimi i mallrave me përbërje në gjuhen shqipe, rrezikon shëndetin e qytetarëve të Kosovës nga konsumimi i këtyre produkteve të importuara pa deklaracion.