Ekskluzive: Qeveria shkel ligjin duke paguar avokatin e shtrenjtë të Lushtakut

Nëse avokati britanik, Geoffrey Nice, do të paguhej me paratë e buxhetit të shtetit për mbrojtjen e Sami Lushtakut, ndonëse ndaj klientit të tij ende nuk është ngritur aktakuzë nga Zyra e Prokurorit Special, kjo do të përbënte shkelje të Ligjit për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial nga Gjykata Speciale.

Ekskluzive: Qeveria shkel ligjin duke paguar avokatin e shtrenjtë të Lushtakut

Nëse Geoffrey Nice, avokati i ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtakut, do të paguhej me para të buxhetit të shtetit të Kosovës ndonëse ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj klientit të tij, atëherë do të shkelej Ligji për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial nga Gjykata Speciale.

Sipas këtij Ligji, shteti shqyrton ndihmesat financiare për të akuzuarit potencial nga Gjykata Speciale vetëm në rastet kur ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarve.

Neni 3, pika 1 e Ligjit për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial nga Gjykata Speciale thotë se vetëm të akuzuarit nga Zyra e Prokurorit Special “kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve”.

“Neni 3 Mbrojtja juridike. 1. Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij Ligji”, thuhet në Nenin3, pika 1 të këtij Ligji.

Mirëpo, Driton Lajçi nga Zyra për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencial nga Gjykata Speciale ka konfirmuar sot për T7, se në kundërshtim me Ligjin, ka marrë përsipër shqyrtimin e mbulimit të shpenzimeve financiare për ish-kryetarin e Skenderajt.

Edhe pse ende nuk dihet se në çfarë cilësie Lushtaku është ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë, kjo zyrë ka theksuar se do t’i shqyrtojë kërkesat e paraqitura nga avokati britanik i ish-komandantit të UÇK-së.

“Sa i përket mbështetjes financiare, kompensimit financiar, ka mbetur që më 16 janar, kur edhe do të takohemi fizikisht [me Geoffrey Nice, v.j] që të diskutojmë edhe për detajet e tjera”, u shpreh sot Lajçi, drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencial nga Gjykata Speciale.

E siç është konfirmuar sot, avokati Geoffrey Nice ka kërkuar fiks 2 mijë e 200 euro në ditë për mbrojtjen e Lushtakut, nëse ndaj tij do të ngritet aktakuzë nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, konkretisht Zyra për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale, kundërligjshëm ka marrë vendim për t’ia paguar nga 2 mijë e 200 eurove për një ditë, Geoffrey Nice, avokatit të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku.

Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Lushtaku është nisur sot fillimisht për në Gjermani, e më pastaj për në Hagë. Para udhëtimit, ai ka pranuar se ende nuk ka asnjë aktakuzë që rëndon ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mirëpo e ka pranuar se as vet nuk e di se në çfarë cilësie është duke udhëtuar për në Hagë.

“Nuk e di ende se në çfarë cilësie jam i ftuar në Hagë”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së, në Zonën e Drenicës.

Sami Lushtaku, pritet që të merret në pyetje nga Prokurorët e Zyrës së Specialuzuar, gjatë datës së 19 Janarit, të këtij viti.

Së bashku me Lushtakun, gjatë ditës së sotme, ka udhëtuar edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

Të dy këta, para udhëtimit për në Hagë, i ka takuar presidenti i vendit dhe njëherësh ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, tashmë është e konfirmuar se kanë dërguar ftesa edhe ndaj ish-krerëve më të lartë të UÇK-së.

Ish-kryegjyqtari i Gjykatës Ushatarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ish-anëtar i Zonës së Pashtrikut gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sabahudin Cena, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, ish-anëtari i Zonës Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rreci janë disa nga ish-pjesëtarët e UÇK-së që kanë marrë ftesë nga Specialja.

Në media është raportuar, se në javën e dytë të muajit Janar, në intervistë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të merret edhe ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi. Ish-komandanti i TMK-së, tani është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi vuan nga një sëmundje.

Ndaj, asnjërit prej të ftuarve t ëish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është ndarë asnjë mjet, për mbrotjen e tyre në Gjykatën Speciale – përjashtim bënë vetëm ish-komandanti, Sami Lushtaku.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Europës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vitesh nga themelimii Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schëendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t’u ngritur./Insajderi.com