Qeveria i kundërpërgjigjet ministrit të Bosnjës dhe Hercegovinës

Qeveria i kundërpërgjigjet ministrit të Bosnjës dhe Hercegovinës

Qeveria e Kosovës mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për taksën ndaj produkteve të Bosnjës dhe Hercegovinës, pavarësisht kërkesës së ministrit të Tregtisë së Bosnjës, Mirko Sharoviq, i cili deklaroi sot se pala kosovare “ka pranuar të negociojë për shfuqizimin e vendimit për taksën 100 për qind”.

Megjithatë, Sharoviq është demantuar nga Qeveria e Kosovës, e cila ka ripërsëritur qëndrimin për mbetjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve boshnjake.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë sot për Insajderin se Qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka bërë kërkesë në Organizatën e Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) për diskutimin e vendosjes së taksës 100 për qind nga Kosova, por ajo është shprehur se Kosova nuk do ta negociojë heqjen e taksës.

“Qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka paraqitur një kërkesë në CEFTA për diskutimin e vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të saj nga Kosova, mirëpo kjo nuk do të thotë negocim të taksës”, ka thënë Gashi, teksa ka treguar se Kosova është pjesë e CEFTA-s dhe në këtë takim do të marrë pjesë.

“Megjithatë, përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë, apo ministri Shala në këtë takim do të shprehin qëndrimin e Qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj se taksa do të mbetet”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës.

Ministri boshnjak i Tregtisë, Mirko Sharoviq deklaroi sot se pala kosovare, me kërkesë të Bosnjës e Hercegovinës ka pranuar negociata bilaterale për shfuqizimin e vendimit për vendosjen e taksës 100 për qind në mallrat nga ky shtet, raportoi mediumi nga Bosnja dhe Hercegovina klix.ba.

“Nuk mund ta parashohim rrjedhën, por është me rëndësi se ia kemi dalë të hapim negociatat në nivel ekspertësh. Në vend se të aplikojmë kundërmasa, që askujt nuk do t’u shërbenin, kemi krijuar kushte që problemet të zgjidhen në nivel profesional, meqë qëllim ynë parësor është të mbrojmë bizneset vendore të cilat gjatë muajve të fundit nuk mund të eksportojnë në përputhje me rregullat e tregtisë së lirë dhe që të pengojmë dëmet”, citohet të ketë deklaruar sot Sharoviq.

Bosnja e Hercegovina është dëmtuar së paku për 4,5 milionë dollarë pas vendosjes së taksës në prodhimet e BeH nga ana e Prishtinës. /Insajderi.com