Të diplomuarit në Psikologji duan punë, sot protestojnë para MASHT-it

Të diplomuarit në Psikologji duan punë, sot protestojnë para MASHT-it

Një grup i personave që kanë përfunduar studimet për psikologji, pritet të protestojnë sot prej orës 11:00 para Ministrisë së Arsimit.

Nën moton “Shkollat pa psikologë, psikologët pa punë”, ata do të kërkojnë që të hapen vende pune për psikologë nëpër tërë shkollat e Kosovës. Kjo pasi, sipas statistikave që ka Ministria e Arsimit në Kosovë, momentalisht në të gjitha shkollat publike, janë vetëm 37 psikologë.

Njëri prej organizatorëve të kësaj proteste, Labinot Dervishaj, ka thënë se protestuesit do të kërkojnë nga ministria hapjen e  konkurseve brenda instucioneve shkollore.

“Kërkojmë që MASHT-i të reflektojë, të hapë konkurse për psikologë brenda sistemit arsimor, pasi që një gjë të tillë e mundëson edhe infrastruktura ligjore e hartuar nga vetë MASHT-I”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Sipas Dervishajt,  pjesëmarrës në protestën e sotme do të jenë persona të diplomuar të drejtimeve psikologjike.

“Në protestë do të marrin pjesë psikologë të diplomuar në nivelin master dhe bachelor, jo të tjerë”, është shprehur tutje ai.

Edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, numrin e tanishëm të psikologëve nëpër shkolla, e ka konsideruar si jo të kënaqshëm.

“Kemi 37 pedagogë dhe 37 psikologë  në të gjitha shkollat, që është një numër i vogël”, ka thënë ai.

Mirëpo, përgjegjësinë për këtë, ministri Bajrami ua ka lënë komunave, duke thënë se është përgjegjësia e tyre që të veprojnë në këtë drejtim.

“Punësimi i pedagogëve dhe psikologëve është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e komunave. Ato duhet të punojnë që brenda grandit specifik, brenda buxhetit të komunave të parashohin dhe të kërkojnë mjete për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve”, ka deklaruar ministri i Arsimit.