Tenderi tjetër problematik i AQP-së – Përplasen kompanitë e mëdha të naftës

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), në tenderin me emër, “Furnizim me Karburante (benzin dizel), ka shpallur fitues, HIB Petrol dhe Petrol Company ani pse të dy këta operator kishin ofruar një çmim shumë më të lartë se kompanitë tjera të cilat ishin pjesëmarrës.  Ky tender ka bërë që të përplasen kompanitë e mëdha të naftës në vend.

Tenderi tjetër problematik i AQP-së – Përplasen kompanitë e mëdha të naftës

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), në dosjen e tenderit të muajit tetor të vitit 2018 të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi ka shpërblyer me një kontratë milionëshe dy kompanitë e mëdha të naftës në vend, HIB Petrol dhe Petrol Company.

HIB Petrol ka fituar tenderin me një çmim prej 18 milionë eurosh dhe Petrol Company me çmim prej 13 milionë eurosh, shkruan Gazeta Insajderi.

AQP ka vlerësuar se të dy këto kompani kanë plotësuar kushtet sipas kërkesave të cilat ata i kanë kërkuar nga aplikuesit.

“Tenderi juaj është vlerësuar me kujdes sipas kushteve dhe kërkesave të dhëna në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit. Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës për aktivitetin e prokurimit të lartcekur”, thuhet në dosjen e tenderit të AQP-së.

Ndërsa humbës të këtij tenderi, AQP i kishte shpallur “LAB – OIL”, “IP – KOS” dhe “AL – Petrol”, ani pse këto kompani kishin ofruar një çmim shumë më të arsyeshëm se kompanitë fituese.

Ky tender ka bërë që këto kompani të mëdha të përplasen, derisa disa prej tyre tashmë kanë bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe në Ministrinë e Financave.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga AQP sesi janë shpallur këto dy kompani fituese pasi që ato kanë ofruar një çmim shumë më të shtrenjtë, mirëpo ajo ende nuk është përgjigjur.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme AQP kishte kërkuar të blejë prodhime të Serbisë për t’i furnizuar disa institucione, përkundër që Qeveria e Kosovës i ka vendosur taksën doganore prej 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Kjo Agjenci duke u thirrur në kushte të jashtëzakonshme për t’i përshkruar produktet që synon t’i blejë i ka referuar me artikull specifik të prodhuesve serb.

Në tenderin 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta”.

Disa prej produkteve të referuara janë të prodhuara në Serbi, ndaj të cilave qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100%. /Insajderi.com