Ambasadori amerikan në Shqipëri flet për lidhjen e politikanëve me drogën

Ambasadori amerikan në Shqipëri flet për lidhjen e politikanëve me drogën

Mendoj se të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës”. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu gjatë një takimi të zhvilluar ditën e sotme me studentë të gazetarisë në ambientet e ambasadës.

Edhe pse  nuk përmend emra konkretë, ambasadori Lu u tha studentëve të gazetarisë, se ka anëtarë të Parlamentit dhe kryetarë bashkish që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka nxitur qeverinë e Shqipërisë dhe Policinë e Shtetit që të bëjë më shumë në luftën kundër trafikut të narkotikëve. Agjencia për Luftën Kundër Drogës e SHBA (DEA) punon ngushtë me Policinë e Shtetit të Shqipërisë për të luftuar trafikimin e drogës, me fokus të posaçëm tek trafikimi i heroinës dhe kokainës”, ka thënë ai gjatë një bisede me studentë të gazetarisë, njofton Gazeta Shqip.

“Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”, tha mes të tjerash Lu.