
Ish-gazetari tani deputet i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zekës i është konfirmuar gjatë ditës së sotme aktakuza nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për rastin me mashtrim me viza pune të kosovarëve. Në të njëjtin rast janë të përfshirë edhe ish-ortaku i tij, Ilir Krasniqi dhe biznesmeni Edmond Kërliu.
Përveç pretendimeve të prokurorisë që në mashtrimin e Zekës kanë qenë të përfshirë, Kërliu dhe Krasniqi, rol në gjithë mashtrimin me viza kishte pasur edhe Televizioni Publik i Kosovës.
Aty, Zeka tash e disa vite është autor i një emisioni të quajtur ‘Pa rrotlla’. Në emisionin e tij sipas prokurorisë, Zeka kishe bërë prezantime të rrejshme të kosovarëve që kishin marrë viza pune në Gjermani. E gjithë kjo ishte bërë me qëllim të tërhiqte sa më shumë aplikantë.
Milaim Zeka kishte prezantuar në emisionin e tij “Pa Rrotlla” një biznesmen shqiptar të suksesshëm dhe të pa korruptuar.
Ilir Krasniqi, tregonte në emisionin e Zekës që transmetohej në RTK, se si një ministër kosovar i kishte kërkuar 3 milion euro ryshfet atij dhe partnerëve gjermanë, për një investim në KEK. Por, asnjëri nuk ia përmendin emrin për “çështje etike”.
Kjo intervistë në fakt kishte një qëllim tjetër: prezantimin e Krasniqit si biznesmen kredibil për t’i hapur rrugë një skeme mashtrimi që po përgatisnin ata dy. Po promovohej një mashtrues me të cilin Zeka kishte hyrë në ortakëri.
Rreth një muaj para kësaj interviste, Zeka e Krasniqi kishin hapur një agjenci për punësimin e kosovarëve në Gjermani. Kompania ka funksionuar më shumë se një vit.
Gjatë kësaj periudhe Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi me anë të kompanisë së tyre kanë mashtruar 920 kosovarë. Atyre u janë marrë nga shuma të ndryshme parash prej 50, deri në 3500 euro.
Por, në vend të punësimit, këta 920 kosovarë kanë humbur ato pak kursime që kishin. Paratë kanë përfunduar në xhepat e Milaim Zekës dhe partnerit të tij.
Vetëm në fundin e vitit të kaluar Zeka kishte dalur para gjykatës për këtë rast. Gjykimi i Milaim Zekës, mund të jetë një prej gjykimeve më të gjata që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Jo për shkak të kompleksitetit të rastit, por për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve.
Prokurori Special, Afrim Shefkiu kishte propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë hiç më pak se 345 mijë e 700 euro. Më pas Shefkiu ishte përjashtuar nga rasti, për shkak se Zeka kishte kërcënuar prokurori.
Gjykatësi i rastit kishte konstatuar se rasti mes Zekës dhe prokurorit Shefkiu do të mund të përmbante konflikt interesi, andaj rasti i kishte kaluar një prokurori tjetër.
354 personave u janë kthyer paratë pas nisjes së hetimeve kundër deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Shuma e parave të kthyera kap vlerën e 83 mijë e 850 euro. 546 vetave nuk u janë kthyer akoma paratë.
Insajderi kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, kundër Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut, të cilët akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Në aktakuzë janë renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit, të cilët janë propozuar si dëshmitarë.
Pika e parë e aktakuzës ngarkon Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqin për veprën penale të mashtrimit. Aty thuhet se që nga fillimi i vitit 2016, deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, Zeka e Krasniqi kanë hapur biznesin me emrin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” si agjenci punësimi, dhe kanë paraqitur fakte të rrejshme kinse punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani.
Ata, siç thuhet në aktakuzë nëpërmjet emisionit “Pa Rrotlla” që transmetohet në RTK, kanë joshur kosovarët që të aplikojnë për viza pune në zyrat e tyre në lagjen “Pejton” në Prishtinë.
Për biznesin e mashtrimeve me viza, deputeti i Nismës së udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, Milaim Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi akuzohen edhe për shmangie nga tatimi.
Kësisoj, ata akuzohen se e kanë vjedhur shtetin duke mos i paguar tatimet, në vlerë prej 59 mijë e 981 euro e 85 centë.
Me një pikë të veçantë të pastrimit të parave, akuzohen Milaim Zeka dhe biznesmeni nga Maqedonia, Edmond Kërliu.
Kërliu, akuzohet se Milaim Zekës ia ka pastruar 153 mijë e 901 euro të cilat dyshohet se i pa përfituar nga mashtrimi me viza të 900 kosovarëve.
“Gjatë periudhës kohore nga data 1 korrik 2016, deri më 31 dhjetor 2016 në Prishtinë, fillimisht i pandehuri Milaim Zeka me qëllim të fshehjes dhe shmangies nga tatimi të biznesit të tij, N.Sh. Qendra Mediale ‘Mozaiku i Kosovës’, ka bërë transfero të dyshimta nga llogaria e tij bankare, në llogarinë e kompanisë ‘ENK&CO”, pronë e të pandehurit, Edmond Kërliu”, thuhet në aktakuzë.
Aty përmenden 11 transaksione bankare në shumë të përgjithshme prej 153 mijë e 901 eurove, në emër të blerjes së tri banesave. E gjithë kjo shumë parash, ia ka kthyer Kërliu Zekës kinse në emër të huazimit.
Banesat që thuhet se janë blerë nga Zeka të cilat gjenden në kompleksin banesor-afarist, “Nartel Center”, janë sekuestruar nga Gjykata deri në përfundim të gjykimit. Nëse të akuzuarit shpallen fajtor, atëherë shteti do të bëhet pronar i këtyre tri banesave.
Deputeti Milaim Zeka, akuzohet po ashtu se me anë të kompanisë mediatike “Mozaiku i Kosovës”, me dashje i është shmangur detyrimeve ndaj shtetit. Ai akuzohet se në bazë të gjetjeve të Administratës Tatimore, 81 mijë e 192 euro e 72 centë i është shmangur shtetit.
Me një pikë të veçantë të aktakuzës për pastrim parash akuzohet edhe, Ilir Krasniqin. Ai akuzohet se ka pastruar 57 mijë euro me anë të kinse blerjes së një lokali afarist dhe një veture.
Krasniqi, akuzohet se më 18 nëntor 2016, nga llogaria e tij bankare ka transferuar 46 mijë euro në llogarinë bankare të Arsim Retkocerit, në emër të blerjes së një lokali në Matiçan në sipërfaqe prej 86.7 metra katrorë.