Suspendohet Prokurori i Gjakovës për fyerje ndaj kolegut të tij

Suspendohet Prokurori i Gjakovës për fyerje ndaj kolegut të tij

Agron Matjani, prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës është suspenduar të premten ka mësuar Gazeta Insajderi. Matjani është suspenduar për shkak të fyerjeve që i ka bërë një prokurori tjetër në Prizren.

I njëjti prokuror, Agron Matjani është hetuar edhe për një vepër tjetër, që ka të bëjë me kërcënim ndaj gruas së vëllait të tij.

Rasti ishte raportuar në Policinë e Kosovës në javën e parë të nëntorit të vitit 2018, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.

E dëmtuara S.M e kishte raportuar rastin në Policinë Rajonale në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Vesel Gashi, kishte konfirmuar se e dëmtuara S.M kishte paraqitur rastin në polici si kanosje.

“Kemi një rast ndaj të dyshuarit Agron Matjani, rasti është duke u cilësuar si kanosje, rasti është i paraqitur nga e dëmtuara S.M, dhe është duke u punuar nga zyrtarët hetues. Jemi në fazën e grumbullimit të informatave dhe është marrë në pyetje e dëmtuara dhe paraqitësja e rastit, si dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët e mundshëm,  dhe se rasti është pranë finalizimit”, kishte thënë zëdhënësi Gashi.

Mirëpo prokurori Agron Matjani e kishte mohuar të ketë ndonjë të vërtetë në denoncimin e të dëmtuarës S.M.

“Nuk ka asgjë të vërtetë dhe të vërtetuar nga ai rast. Personi që e ka paraqitur rastin vetëm ka shpifur, dhe ka dashur që të dëmtojë integritetin dhe personalitetin tim”, kishte thënë Prokurori Matjani, për Kallxo.com

“Personi që e ka paraqitur rastin tashmë është larguar dhe ka shkuar të vazhdojë jetën në Amerikë, pasi që as që i intereson se çfarë po ndodh këtu, pra vetëm ka dashur që të më dëmtojë mua si person duke e paraqitur rastin në Polici”, kishte thënë Mtjani duke iu referuar kunatës së tij e cila ka shtetësi amerikane. /Insajderi.com