Dështoi të bëhet deputet, daja i kryeministrit punësohet në AUV

Dështoi të bëhet deputet, daja i kryeministrit punësohet në AUV

Lahi Brahimaj nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017.

Ai mori 8,121 vota, të cilat ishin të pamjaftueshme për të mposhtur konkurrencën në listën e koalicionit PDK-AAK-NISMA në garën për deputet.

Por, Brahimaj nuk ka mbetur jashtë institucioneve. Gazeta Jeta në Kosovë raporton se Brahimaj është punësuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Punësimi i tij është bërë në kohën kur kryeministër është nipi i tij, Ramush Haradinaj.

AUV-ja është agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Brahimaj e ka konfirmuar se është punësuar në këtë pozitë.

Thotë se nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë ndihmë nga Kryeministri për t’u punësuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Jam punësuar që rreth 3 muaj përmes konkursit”, tha Brahimaj.

“Për nderin tim, jo”, u shpreh Brahimaj kur u pyet nëse ka pasur ndërhyrje ose ndihmë nga ana e Kryeministrit për punësimin e tij.