
Presidenti Hashim Thaçi dje ka bërë publike një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump, përmes së cilës ofron kompromis për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kritika ndaj kësaj letre të Thaçit ka kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi. Ai vlerëson se Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese kur ka ofruar kompromis paraprakisht.
“Ofrimi i kompromisit paraprakisht nuk është e drejtë kushtetuese, përkundrazi është shkelje e rendë e kushtetutës, pasi është thirrje për cenimin e territorit dhe të sovranitetit të shtetit. Madje, kjo thirrje po vjen pasi një viti të zhurmshëm e më plotë patriotizëm në jetën politike e mediatike për bashkimin e Kosovës Lindore (Preshevës, Bujanocit e Medvegjës) me Kosovën”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se i pari i shtetit të Kosovës ka probleme “serioze intelektuale dhe politike”.
“Pas gjithë atij debati që është zhvilluar në gjithë hapësirën kombëtare shqiptare për korrigjimin e kufirit në dobi të Kosovës, premtimi i tashme që i bëhet Presidentit të SHBA-së e sidomos gatishmëria për kompromis është tregues i sigurt se i pari i shtetit tonë ka probleme serioze politike e intelektuale”, ka thënë kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës. /Insajderi.com