Mustafa përdor një shprehje të Rugovës për takimet në New York

“Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq”, është kjo fraza e njohur e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, të cilën e huazoi sot kryeministri aktual i Kosovës, Isa Mustafa, për të përshkruar takimet që zhvilloi javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mustafa përdor një shprehje të Rugovës për takimet në New York

Kryeministri i Kosovës, së bashku me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë me liderë të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të diasporës javën që lam pas në New York.

“Pata rastin të takohem me Presidentin Obama, Presidentin Clinton, Sekretarin Kerry, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Mbretin e Jordanisë, Presidentin e Këshillit Evropian, Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, drejtuesit e organizatave rajonale, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë shteteve”, ka thënë Mustafa.

Mustafa thotë se Kosova gjatë këtij takimi bëri miq më shumë se kurrë më parë, duke e përshkruar këtë vizitë në SHBA me një shprehje të ish-presidentit të Kosovës, dikur bashkëpartiakut të tij, Ibrahim Rugova.

“Duke iu referuar thënies brilante të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, se ‘Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq’, me krenari e them se Republika e Kosovës ka sot më shumë miq se kurdoherë tjetër”, shprehet Mustafa, raporton Insajderi.

Mustafa tha se në New York, Kosova mori përkrahjen e plotë të SHBA-ve dhe vendeve të tjera partnere e të organizatave ndërkombëtare. /Insajderi.com