Frika e dizajnuesit të flamurit të Kosovës: Çka nëse korrigjohen kufijtë?

Frika e dizajnuesit të flamurit të Kosovës: Çka nëse korrigjohen kufijtë?

Njëmbëdhjetë vjetori i Pavarësisë së Kosovës është shënuar me idenë e korrigjimit/shkëmbimit të territorit me Serbinë. Ide kjo e propozuar nga vet nënshkruesi i pavarësisë më 17 Shkurt 2008, tashmë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Insajderi ka realizuar një intervistë me dizajnuesin e flamurit të Kosovës, Muhamer Ibrahimi për diskutuar në lidhje me atë se si e sheh ai idenë e korrigjimit/shkëmbimit të territorit nëse realizohet kjo ide a bie koncepti i flamurit.

Ibrahimi gjatë kësaj interviste ka folur edhe për ndjesinë e përzgjedhjes se punimit të tij në mesin e mijëra të tjerëve. Si i pa ai kundërshtimet që fillimisht iu bën këtij simboli shtetëror? Çfarë mendimi ka ai për flamurin kombëtar?

Më poshtë e gjeni intervistën e plotë të realizuar me Muhamer Ibrahimin:

Insajderi: Si jeni ndier kur në mesin e mijëra punimeve që janë dorëzuar është përzgjedhur punimit yt për Flamur të Kosovës?

Muhamer Ibrahimi: Është një ndjenjë e pa përshkueshme, me fitu një konkurs të atij niveli është kulminacioni i arritjes në një profesion. Për mua që ushtroj profesionin e dizajnerit për një kohë të gjatë ky ka qenë konkursi më i madh që kam fituar. Është ndjenjë që nuk mundet me u përshkru, ku në mesin e mijëra punimeve është përzgjedhur punimi im është ndjenjë e veçantë. E veçantë sepse atë ditë është shpallur Kosova shtet i pavarur dhe se punimi im me qenë simbol është një krenari.

Insajderi: Fillimisht ka pasur kundërshtime karshi flamurit të cilin t’i e dizajnove. A mund të na tregosh si i prite këto kundërshtime që u bënë nga individ të caktuar, qytetarë, por edhe parti?

Muhamer Ibrahimi: Në fillim ose ditët e para pas shpalljes së pavarësisë e ka pasur një përkrahje të madhe, si prej individëve ashtu edhe prej institucioneve dhe kompanive të ndryshme. Mirëpo pas një kohe ata që kanë qenë konfuz dhe ka pasur një refuzim. Ndërsa sa i përket partive politike ose një grupi të caktuar politik ata veç nuk i kanë përkrahur idetë edhe të shtetit të Kosovës normal edhe simboleve, dihet se simbolet kanë një dallim shumë të madh me ato kombëtare, por këto janë simbole shtetërore që janë zgjedh në bazë të atyre kushteve dhe rrethanave që Kosova ka pasur atëherë dhe që ka shpallur pavarësinë.

Insajderi: Me shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, për herë të parë nga Presidenti, Hashim Thaçi po përmendet ideja e shkëmbimit/korrigjimit të kufijve me Serbinë. Nëse ndodh pra shkëmbimi apo korrigjimi i kufijve a do të thotë që bie poshtë dizajni (koncepti) i deritanishëm i Flamurit të Kosovës?

Muhamer Ibrahimi: Në qoftë se vjen deri atëherë në shkëmbim të territorit ose korrigjim të kufijve atëherë flamuri ose simbolet e deritanishme nuk e kanë kuptimin ose nuk do ta kishin kuptimin që e kanë tani. Besoj që Kosova do të jetë shtet me këtë hartë ose me këtë territor që është pranuar dhe që është shpallur në atë kohë dhe do të vazhdojë, vetëm se duhet të forcohet stabiliteti dhe shtetësia e Kosovës.

Insajderi: Cili është koncepti i Flamurit të Kosovës, çka re-prezanton?

Muahmer Ibrahimi: Harta është tërësia territoriale sikur atëherë kur Kosova është shpallur shtet, konceptetet e Kosovës janë integrimet euro – atlantike, integrimi në Bashkimin e Evropian në NATO, pra kështu siç është shtet me këtë territor. Besoj që edhe qytetarët nuk janë për shkëmbim apo ndryshim të kufijve.

Insajderi: Po përflitet për një mundësi që të ketë një union mes Kosovës e Shqipërisë, hipotetikisht a do të dizajnonit një flamur që do të mund të ishte identifikues për dyja shtetet. A do të konkurronit?

Muhamer Ibrahimi: Në qoftë se do të kishte konkurs do të konkurroja prapë, mirëpo besoj që do të adaptohet falmuri kombëtar sepse me flamurin kombëtar është mbajtur edhe Lidhja e Prizrenit atëherë konceptetet dhe idetë për bashkimin e trojeve shqiptare, ose për bashkimin e vilajeteve në një shtet të vetëm. Pra besoj që nuk do të kishte një konkurs për një flamur tjetër.

Insajderi: Çka mendon për flamurin kombëtar, çfarë ndjesi të jep?

Muhamer Ibrahimi: Unë vet personalisht por edhe gjeneratat më herët por edhe të rejat janë rritur me këtë flamur. Por gjenerata jonë e kemi një tjetër ndjesi, kemi kaluar shumë sfida me flamurin kombëtar kuptohet që kam emocione dhe ndjenja të veçanta për këtë flamur, po ashtu edhe për flamurin e shtetit të Kosovës.

Insajderi: Mes flamurit kombëtar dhe flamurit shtetëror, cili pëlqeni më shumë?

Muhamer Ibrahimi: Nuk mund t’i ndajë, flamurin që e kam krijuar vetë është diçka si një krijesë e imja personale, mirëpo sa i përket dashurisë për njërin apo tjetrin këtu nuk mundem me i nda ose me i veçu njërin më shumë ose tjetrin më pak. Të dy i përdorim varësisht prej eventeve, rasteve, festave.

Klikoni këtu për t’a parë videon: