Rumania frikësohet se do të bëhet “Hungari për emigrantët”

Pas Hungarisë, kosovarët gjejnë një rrugë tjetër drejt Evropës

Teksa Hungaria ka vendosur të shkojë në referendum për të vendosur për çështjen e pranimit të refugjatëve, pasi vitin e kaluar mbylli kufirin me një gardh, një shtet tjetër në kufi me Serbinë, po frikësohet se mund të bëhet “Hungaria e ardhshme” për emigrantët dhe refugjatët. Sidomos emigrantët.

Pas Hungarisë, kosovarët gjejnë një rrugë tjetër drejt Evropës

“Para se të bëjmë edhe ne një gardh, do të ishte mirë që t’i tregojmë ballkanasve që rruga drejt Evropës përmes Rumanisë nuk do të jetë e njëjtë sikur ajo e Hungarisë”.

Kështu ka folur në një intervistë drejtori i policisë kufitare në Rumani, teksa ka prezantuar një alarm për vendin: emigrantët.

Në fakt, rumunët po i frikësohen më shumë faktit se trafikantët e emigrantëve do t’ia mësyjnë Rumanisë si vend ku do t’i drejtojnë emigrantët, pasi Hungaria po i mbyllë rrugët e saja në secilën formë.

Më 6 korrik të vitit të kaluar parlamenti i Hungarisë votoi për ndërtimin e një gardhi 4 metra të lartë përgjatë 180 kilometrave të kufirit të këtij vendi me Serbinë me një kosto prej 20 milionë eurosh. Ndërtimi filloi më 13 korrik dhe qysh atëherë ku shtet i ka dërguar mesazh të qartë emigrantëve.

Gjatë vitit të kaluar qindra-mijëra kosovar ishin bërë pjesë e një eksodi të madh ikjesh drejt perëndimit, bashkë me qindra-mijëra të tjerë nga vende të ndryshme të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë dhe vet Serbinë.

E në Rumani, i ka kapur paniku. Kështu raportojnë mediat e këtij vendi, raporton Insajderi.

Madje Ministria e Punëve të Brendshme përmes Policisë Kufitare ka publikuar një liste të hyrjeve ilegale por të organizuara të emigrantëve në këtë shtet.

“A do të bëhemi Hungaria e ardhshme për emigrantët?”, është titulli i gazetës rumune “cotidianul.ro” në një shkrim në të cilën tregohet sesi trafikantë, shumica serb po kapen çdo ditë teksa fusin ilegalisht emigrant nga Serbia në Rumani.

Rasti i fundit ka qenë ai i 30 shtatorit ku sipas të dhënave policore, janë kapur 12 emigrant të cilët shoqëroheshin nga 2 serb që janë arrestuar si trafikant të emigrantëve.

“Vetëm gjatë këtij muaji kemi kapur më shumë 30 grupe emigrantësh të cilët të organizuar nga trafikantë po tentonin të hynin në Rumani. Kush e di sesa grupe të tjera me qindra persona ja kanë arritur të hynë në Rumani pa e hetuar ne. Duhet të marrim masa”, ka thënë drejtori i Policisë kufitare në Rumani.

Në mesin e këtij muaji sipas kësaj gazete në Rumani kanë nisur të vijnë edhe emigrant nga Kosova, raporton Insajderi.

“Me 12 shtator, 8 emigrant, katër prej të cilëve nga Kosova të moshës 14-35 vjeçare janë zënë teksa kanë hyrë ilegalisht në Rumani.

Por me 9 shtator janë kapur edhe 4 të tjerë kosovar të cilët nga fshati kufitar Saravale ishin duke tentuar të shkonin në një vend tjetër.

“Për ta kjo ishte hera e dytë që po tentonin të dilnin ilegalisht në vende të tjera dhe kanë qenë të regjistruar në Qendrën e Emigrantëve në Timis”, shkruan gazeta, raporton Insajderi.

Përpos kosovarëve, gjatë muajit shtator, nga Kosova drejt Rumanisë kanë ikur edhe disa refugjatë.

Para një jave Policia rumune raporton se ka zënë dy të rinj teksa janë fshehur në arat e mbjella me misër në një fshat kufitar në Rumani e të cilët kanë pohuar se kanë ikur nga kampi i emigrantëve në Kosovë.

Ky kamp ndodhet në fshatin Magure.