“Grandi”, është vula e angazhimit të Gazmend Abrashit. Zëri i tij duke kërkuar 3.5 milionë euro është i incizuar. Ai, këtë zanat di. Këtë po e aplikon më së miri si pjesë e Qeverisë, duke ia përshtatur vendimet shtetërore biznesit të tij privat. Me gjasë duke manipuluar kryeministrin se kinse ky vendim është në të mirë të vendit. Si biznes privat po e përdor detyrën zyrtare si këshilltar i kryeministrit, duke pasuruar vetën, e duke dëmtuar buxhetin e shtetit për miliona euro.
Prishtinë, 13 mars 2012. Në ambientet e Hotelit “Swiss Diamond” po bëhej një pazar i madh për Hotelin “Grand”.
I paligjshëm, natyrisht.
Në zyrën e Begjet Pacollit, po defilonin politikanë, biznesmenë, sekserë. Remzi Ejupi, Gazmend Abrashi, Naser Osmani, Selim Pacolli, Astrit Haraqija, Burim Gashi, Adelina Reçica, ndodheshin aty me qëllimin e vetëm që t’ia lidhnin kryet punës së Hotelit “Grand”.
E ardhmja e këtij hoteli varej nga diskutimet që po zhvilloheshin. Pazari varej nga vullneti i Pacollit. Nëse do të bindej që të jepte 3.5 milionë euro ryshfet, Hoteli “Grand”, nuk do t’i merrej. Për këtë shumë ryshfeti po ndërmjetësonin Naser Osmani, Gazmend Abrashi, Astrit Haraqija, Burim Gashi, e Adelina Reçica.
Historia e pazarit kriminal për këtë hotel, disa ditë më vonë ishte zgjeruar me përfshirjen e Ukë Rugovës. Ky grup njerëzish, përfshirë zyrtarë publikë kishin cak përfitime multimilionëshe nga shitja e pasurisë publike.
“Në një moment Behgjet Pacolli dhe Gazmend Abrashi dalin në korridor nga zyra. Pas tyre kam dalë edhe unë. Gazmendi më pyeti se çfarë keni vendos. Unë u bëra se nuk po di se për çfarë po flitet dhe më qenë se aty kalonin njerëz ne hymë në një tjetër zyrë dhe filluam bisedën”, kishte deklaruar në polici, Remzi Ejupi.
Në këtë takim Gazmend Abrashi, i kishte thënë Ejupit se e kanë të kotë, nëse nuk paguajnë. As dokumentet nuk vlejnë, kishte thënë ai.
“Ky takim ka ndodhur me datën 13 mars 2012. Këtë bisedë kam arritur ta incizojë me telefon. Incizimin e kam bërë me telefonin tim ‘Blackberry’ dhe dëshiroj që t’ua dorëzoj si dëshmi këtë incizim”, i kishte thënë Ejupi, Policisë së Kosovës.
Paratë nuk ishin dhënë. E, hoteli i ishte marrë Pacollit dhe Ejupit për shkak të dështimit për të përmbushur kontratën. Rasti tashmë ka shkuar në Arbitrazh.
Prej të gjitha negociatave kriminale të zhvilluara rreth “Grandit”, zëri i Gazmend Abrashit duke kërkuar 3.5 milion euro ka mbetur i regjistruar. Është në arkivat e Policisë e Prokurorisë. Është letërnjoftimi i veprimtarisë së tij.
26 shkurt 2019. Behgjet Pacolli dhe Gazmend Abrashi, janë në krye të institucioneve të vendit. Pacolli, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Ndërsa, Abrashi – këshilltar i kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Historia e përfitimeve personale përsëritet. Kësaj here në një formë tjetër. Qeveria, pjesë e së cilës është Pacolli, ka marrë një vendim që shkon krejtësisht në interes personal të Gazmend Abrashit.
Nuk po pyet për humbjet financiare që do t’i shkaktohen vendit nëse jetësohet vendimi për favorizimin e biznesit të duhanit, të Gazmend Abrashit. 100 deri në 300 mijë euro mund të humbë buxheti si pasojë e uljes së akcizës.
Ky vendim është në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian, i cili ka ndaluar subvencionimin e biznesit të duhanit nga viti 2014.
Ky vendim madje Kosovën e largon edhe më shumë nga rruga e integrimit në BE.
Krejt çfarë përfitohet prej tij, është trashja e kuletës së Gazmend Abrashit.
Të gjitha këto dëme shkaktohen nëse vendimi të Qeverisë i nxjerrë në nëntor të vitit të kaluar, kalon edhe në Kuvendin e Kosovës. Me këtë dokument synohet heqja e akcizës për duhan. Në vend të akcizës, e cila për cigaret paguhet në shumë prej 45 EUR/KG, ndërsa për duhanin 35 EUR/kg, parashihet që të aplikohet një taksë prej 30%.
Abrashi, është pronar i fabrikës së duhanit “Premium Tobacco Group”, në Gjilan, të privatizuar në vitin 2013 pas një varg dështimesh.
Të dhënat tregtare tregojnë se vitin e kaluar Kosova ka importuar afërsisht 2,770 tonelata cigare, që i bie se të hyrat vetëm nga akciza e cigareve ishin rreth 125 milionë euro. Po të aplikohej taksa prej 30% në vend të akcizës, të hyrat për buxhetin do të ishin vetëm 20 milionë euro.
Kësisoj, Qeveria po shfrytëzohet nga Abrashi për përfitime personale, në dëm të vendit dhe interesit publik.
Siç është pritur, dokumenti ka bërë që Komisioni Evropian të reagojë me gjithë fuqinë dhe ta kundërshtojë atë si një prej vendimeve më të dëmshme të Qeverisë Haradinaj, e cila këtë e ka arsyetuar me zhvillimin ekonomik të vendit dhe uljen e papunësisë.
Vendimi bije ndesh me Konventën e Organizatës Botërore të Shëndetit Publik dhe Kontrollin e Duhanit, të cilën e kanë nënshkruar mbi 90 për qind të shteteve të Botës, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbisë.
Të gjitha shtetet nënshkruese janë pajtuar për aplikimin e masave reduktuese të furnizimit të duhanit. BE-ja ka kritikuar edhe subvencionimin e prodhimit të duhanit një euro për kilogram, duke e futur në kategorinë e mbështetjes së prodhuesve të qumështit.
Përveç kësaj, Qeveria me këtë vendim stimulon dëmtimin e shëndetit të popullatës, duke nxitur kultivimin dhe konsumimin e duhanit për interesa krejtësisht personale. Pra, për interesa të Gazmend Abrashit.
Dokumenti, natyrisht që për autor ka vetë Abrashin, cili ia ka përshtatur biznesit të tij të duhanit. Sepse për interesa krejtësisht personale është pjesë e Qeverisë.
Ky fakt argumentohet me veprimet e deritashme të tij si biznesmen dhe si sekser, duke mos paguar sipas ligjit punëtorët e tij dhe duke kërkuar miliona euro ryshfet për hotelin “Grand”.
Nëse vendimi do të kishte qëllim mbështetjen e prodhuesve vendorë, atëherë kultivuesit e duhanit do të liroheshin nga akciza në naftë për prodhime bujqësore. Nga ky lirim do të përfitonin edhe prodhuesit e njohur siç është Frutomania, e Pestova. Pra, të mirat e vendimit do t’i gëzonin të gjithë prodhuesit bujqësor, jo vetëm Abrashi.
Si i tillë, duhet të tërehiqet nga Qeveria ose të rrëzohet nga Kuvendi.
Nëse Qeveria insiston ta jetësojë atë, jo vetëm që do ta dëmtojë buxhetin, por edhe shëndetin e popullatës. I vetmi përfitues do të ishte, Abrashi.
Është e thjeshtë zbulimi i hiles së Abrashit. Kthimi i kokës nga Afera e 3.5 milionë eurove. “Grandi”, është vula e angazhimit të Abrashit. Zëri i tij duke kërkuar 3.5 milionë euro është i incizuar. Ai, këtë zanat di. Këtë po e aplikon më së miri si pjesë e Qeverisë./Insajderi.com