
Ambasada e Britanisë në Kosovë ka reaguar lidhur me emërimin e ish-ushtarit të Limajt, Naser Shalës, i njohur si “Ftyra” në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.
Në shenjë pakënaqësie me këtë zhvillim Ambasadori Ruairi O’Connell ka dhënë dorëheqje nga pozita që mbante si kryetar i bordit.
“Ambasadori britanik ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si Kryetar i Bordit të AKKVP. Letra e tij e dorëheqjes i është dërguar Përfaqësuesit Special të BE-së”, thuhet në reagim.
“Ambasada Britanike në Prishtinë shpreh keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Naser Shala si Shef i Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Projekti i Mbështetjes së Ambasadës Britanike për Projektin e Rekrutimit Publik dy herë mbështeti procesin për rekrutimin e Shefit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës”.
“Procesi i parë u anulua nga Kuvendi. Procesi i dytë i rekrutimit u krye në mënyrë transparente dhe meritokratike, u identifikua vetëm një kandidat që plotësonte kriteret për emërim. Raportet e rekrutimit, të prodhuara nga partneri zbatues i projektit, u ndanë me të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovë”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas këtij reagimi, kandidati që ishte rekomanduar nga ambasada nuk i ka marrë votat në Kuvend.
“Fatkeqësisht, javën e kaluar Kuvendi dështoi të zgjidhte kandidatin e vetëm të identifikuar si përmbushjen e kritereve për emërim dhe në vend të kësaj emëroi një kandidat i cili nuk u konsiderua i emërueshëm sipas vlerësimit profesional. Kjo është një shkelje e qartë e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës. Është prerogativë e institucioneve të Kosovës që të emërojnë kandidatë të përshtatshëm nga listat e kandidatëve që plotësojnë kritere. Megjithatë, në zgjedhjen e një kandidati që nuk konsiderohej si i emërueshëm në këtë rast, institucionet kanë treguar jo vetëm një mungesë angazhimi në zbatimin e projektit tonë të përbashkët, por gjithashtu, më e rëndësishmja, mungesë të përkushtimit ndaj mandatit dhe punës së AKKVP”, thuhet në reagim.
Ambasada konsideron se emërimi i Shalës në këtë pozitë vë në pikëpyetje nëse shumica e Kuvendit të Kosovës ka vullnetin politik për të zbatuar emërimet meritokratike.
Naser Shala arriti që javën e kaluar të marrë besimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për këtë pozitë, por për të njëjtin post kishte kandiduar edhe 10 muaj më parë, por që nuk kishte arritur t’i merr votat e mjaftueshme.
Dështon zgjedhja e “Ftyrës” në krye të Agjencisë për Verifikim të Pronës
Shala kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.
Por emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.
Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.
Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Dosja e Shefave” ku aty ishte dëshmuar komunikimi mes Grabovcit dhe ‘Ftyrës”, pavarësisht se drejtori i ri për Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kishte qenë në paraburgim.
Dosja e Shefave XXII: Grabovci kishte kërcënuar Jakup Krasniqin – “Ftyra” ta kanë lokën