Ymeri: Projektligji për Trepçën është shkruar nga juristët e korporatave

Ymeri: Projektligji për Trepçën është shkruar nga juristët e korporatave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritikuar projektligjin për Trepçën të dërguar në Kuvendin e Kosovës nga Qeveria.  Ymeri ka thënë se projektligji është shkruar nga juristë të korporatave të mëdha ndërkombëtare dhe se kjo vërehet lehtësisht në projektligji.

“Gjuha e përdorur në projektligj është gjuhë e avokatëve të korporatave,” ka thënë ai.

Sipas Ymerit, projektligji në fjalë anashkalon Kuvendin e Kosovës nga e drejta në Trepçën, duke e bërë aksionar vetëm Qeverinë e Kosovës.

Kjo, sipas tij, ndodhë meqë projektligji e parasheh Trepçën  si shoqëri aksionare dhe jo si ndërmarrje publike dhe kështu krijohen kushte për privatizimin e saj.

Në këtë kontekst, ai ka pyetur nëse ky projektligj po bëhet për përfitimin e Kosovës apo për përfitimin e individëve të caktuar.

Projektligji pritet të votohet sot në Kuvendin e Kosovës në një seancë ku ky projektligj është pika e vetme e ditës.

Sjellja e këtij projektligji në Kuvend ka nxitur reagim të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.  Lista Serbe ka thënë se do të kundërshtojë projektligjin dhe ka kërcënuar me bojkotim të seancave të ardhshme të Kuvendit./Insajderi.com