Oda Ekonomike e Kosovës: ZRRE nuk do t’i dëgjojë kërkesat e shqetësimet e bizneseve

Oda Ekonomike e Kosovës: ZRRE nuk do t’i dëgjojë kërkesat e shqetësimet e bizneseve

Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar një tryezë publike në të cilën morën pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik si dhe përfaqësues të bizneseve.

Në këtë tryezë u diskutua shqetësimi i bizneseve për çështjet e vetëkonsumit të energjisë elektrike, si alternativë e vetme e shumë bizneseve të cilat për vite me rradhë kanë subvencionuar tërë sektorin energjetik.

Kryetari i Odër Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi fillimisht njoftoi se përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë qenë të ftuar në këtë takim, megjithëse kanë refuzuar të marrin pjesë. Rukiqi beson se ZRRE ka filluar ta keqkuptojë rolin që ka. Ai tha se ZRRE mund të jetë mekanizëm i pavarur politikisht, por ata nuk janë të pavarur nga përgjegjësia publike.

Rukiqi theksoi se të gjithë konsumatorët e lidhur me tensionin 10kv dhe 35kv do të detyrohen t’iu bashkohen konsumatorëve të lidhur në 110kv dhe 220kv dhe të gjejnë zgjidhje të tjera për furnizimin e tyre, i cili nuk rregullohet nga ZRRE-ja.

“Këta konsumatorë, që përfaqësojnë një shumicë të madhe të bizneseve (përveç bizneseve me më pak se 50 punëtorë), do të detyrohen të lidhin kontrata për furnizim me energji elektrike, i cili do të mbulohet tërësisht nga importi. Në një situatë të tillë, këta konsumatorë mund të përballen me ndryshime drastike të çmimeve, varësisht nga çmimet dhe sasia e disponueshme e energjisë në rajon. Për më tepër, për shkak të problemeve specifike të Kosovës, edhe pse disa furnizues janë licencuar, tani për tani vetëm KESCO ka mundësi reale të furnizojë këta konsumatorë. Për këtë arsye, mekanizmi i vetëkonsumit është e vetmja alternative për shumë biznese të cilat me vite të tëra kanë subvencionuar tërë sektorin energjetik. Prandaj sipas tij është shqetësuese për Odën Ekonomike të Kosovës, se si ZRRE përmes Vendimeve të ZRRE-së kufizohet e drejta e çdo konsumuari i cili është kyçur në nivel të tensionit 10 dhe 35 Kv, për të shfrytëzuar këtë të drejtë”, u shpreh Rukiqi.

Ai theksoi interesimin e bizneseve për t’i kuptuar arsyet se pse ky mekanizëm është kufizuar vetëm në konsumatorët e nivelit 0.4 kV.

“Komuniteti i bizneseve është sidomos i interesuar të kuptoj se cilat janë arsyeje që ky mekanizëm është kufizuar vetëm në konsumatorët e nivelit 0.4 kV, duke pasë parasysh se edhe kostot e mundshme të KEDS-it për këtë mekanizëm janë më të larta në nivelin 0.4 kV, sesa në nivelet e tjera të tensionit ku nuk është lejuar vetë-konsumi nga ZRRE. Është shumë e paarsyeshme për komunitetin e biznesit kur ZRRE merr vendime për kufizimin e të drejtës së bizneseve (rreth 500 konsumatorë) për të investuar në energji të ripërtëritshme, kur në të njëjtën kohë i lejoni të gjithë konsumatorët e tjerë (më shume së 500 mijë) të investojnë në këtë teknologji”, tha Rukiqi.

Sipas tij, vetë rregullorja që përkufizon këto çështje është e paqartë.

“…Së fundi, për shkak të gjithë procesit nëpër të cilin ka kaluar kompania BRICKOS,  vërehet se edhe vetë Rregullorja është e paqartë sa i përket këtij kufizimi. E gjitha kjo duke patur parasysh se ZRRE në shumë raste ka deklaruar gjatë konsultimeve publike për liberalizim të tregut, se ka aprovuar skemën për vetë- konsum dhe as edhe njëherë të vetme nuk kemi dëgjuar të jetë përmendur kufizimi për biznese sepse edhe atëherë do të kishim reaguar në të njëjtën mënyrë”, tha kryetari i OEK-ut.

Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se MZHE do të jetë përkrahës i politikave rregulluese që rrisin aftësinë konkurruese të sektorit privat.

“Duke filluar nga java që vjen, së bashku me ekzekutivin e kompanive energjetike si KEDS Energy,  Zyrën e Rregullatorit për Energji , KOSTT dhe  Odën Ekonomike të Kosovës , do të dal në teren për të vizituar kompanitë prodhuese që kanë probleme me energji me qëllim që t’i dëgjojmë nga afër ato sfida dhe të bëjmë një plan operativ për secilin rajon. Energjia stabile dhe kualitative është parakusht për sukses dhe konkurrueshmëri”, tha Lluka.

Megjithëse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi kishte paraparë një diskutim me të gjithë akterët institucionalë, përfshirë edhe ZRRE-në, përfaqësuesit e bizneseve patën mundësinë që t’ia shprehin shqetësimet e tyre ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Në një diskutim të rëndësishëm, Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka dhënë ndonjë arsye për refuzimin që të jetë pjesë e këtyre sqarimeve me komunitetin e biznesit. /Inasjderi.com