Policia ua ndalon opozitarëve vendosjen e tendave në shesh

Plani i opozitës për vendosje tendash ka gjasë të mos realizohet. Policia pritet të ndalojë vendosjen e tyre duke u thirrur në nenin 8 të Ligjit për tubime publike.

Policia e Kosovës nuk do t’ia lejojë opozitës vendosjen e shatorrëve në shesh, me arsyetimin se rrezikohet sigurua publike.

Opozita ka planifikuar vendosjen e tendave në mënyrë që të paktën një mijë protestues të jenë të vendosur 24 orë para Kuvendit të Kosovës të paktën deri më 7 mars. Do të provojë pengimin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Data e fundit kur vendi duhet të bëhet me president të ri është 7 marsi. Nëse deri atëherë Kuvendi dështon ta zgjedh presidentin, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Por, plani i opozitës për vendosje tendash ka gjasë të mos realizohet. Policia pritet të ndalojë vendosjen e tyre duke u thirrur në nenin 8 të Ligjit për tubime publike.

Opozita nuk ka njoftuar policinë për këtë tubim siç parashihet me Ligj. Organizatori është i obliguar që 72 orë para tubimit ta njoftojë Policinë. Policia ka afat 48 orë që ta shqyrtojë njoftimin. Nëse vlerëson se tubimi publik nuk është lajmëruar në mënyrë të rregullt; është paraparë të mbahet në vendin që është ndaluar me këtë ligj; kur qëllimet e tubimit nxisin ose thërrasin për përdorimin e dhunës, urrejtës ndërnacionale, fetare racore, politike;  apo nëse ekzistojnë arsye të konsiderueshme se tubimi do të mund të përdorej për dhunë, mund ta refuzojë tubimin.

Organizatori ka të drejtë që rastin ta dërgojë në Gjykatë. Gjykata vendos me procedurë të përshpejtuar.

Ky ligj asnjëherë nuk është përfillur nga Vetëvendosja dhe partitë tjera opozitare.

“Ende opozita është duke e diskutuar formën e veprimit përmes protestave të cilat do të fillojnë sot. Jemi në konsultime e sipër”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi për Insajderin.

“Një herë merret vendimi se si do të bëhen (protestat v.j.) pastaj merret leja”, ka thënë ai.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se protesta nuk është lajmëruar siç parashihet me Ligj. Nuk e kanë mohuar ndalimin e vendosjes së shatorrëve.

“Deri tash nuk kemi asnjë njoftim zyrtar për protestë apo për vendosje të tendave”, ka thënë zyrtarja për informim në Polici, Flora Ahmeti.

“Ne nuk mund të japim detaje për planet operative të Policisë”, ka insistuar ajo.

Policia gjatë ditës pritet të dal me një sqarim se për çfarë arsye nuk lejohet vendosja e tendave.

Burime nga Policia kanë thënë se Policia po konsideron se me vendosjen e tendave rrezikohet sigurua.

“Për këtë arsye nuk do të lejojmë vendosjen e tyre”, ka thënë një burim për Insajderin.

Tre liderët e opozitës, Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes pritet të mbajnë konferencë për media në shesh në ora 14: 00 për të folur për këtë çështje./Insajderi.com