​Ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të jetë sfidë për Kosovën dhe rajonin

​Ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të jetë sfidë për Kosovën dhe rajonin

Përkundër masave të ndërmarra në luftim të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, ky problem ende nuk është zgjidhur dhe organizata ekstremiste vazhdojnë të jenë aktive veçmas përmes përhapjes së ideologjive të tyre përmes internetit dhe rrjeteve sociale.

Kështu u tha në konferencën rajonale “Kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë dhe rajon – Çka tutje?, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime dhe Siguri.

Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, Fatos Makolli u shpreh se luftimi i kësaj dukurie mbetet ende sfidë për institucionet e vendit, ndonëse është prioritet për Qeverinë.

Ai po ashtu tha se sfidë mbetet imunizimi i shoqërisë ndaj ideologjive ekstremiste dhe de-radikalizimi i personave që janë në burgje.

Sipas tij, për shoqërinë kosovare janë kërcënim për sigurinë e Kosovë edhe personat që vijnë nga luftërat në Lindje të Mesme pasi ata dinë të përdorin armë të ndryshme.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime dhe Siguri, Florian Qehaja  u shpreh se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon ta kërcënojë jo vetëm Kosovën, por edhe gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse sipas tij ka rezultate konkrete sa i takon vetëdijesimit të qytetarëve për këtë dukuri.