Në të njëjtën ditë kur Kadri Veseli, ish-drejtues i Shërbimit Informativ të Kosovës, tash drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, po festonte 17-vjetorin e themelimit të partisë, në një konferencë për media doli edhe parardhësi i tij në krye të partisë, Hashim Thaçi, tash president i vendit. Tregoi se ka dërguar katër letra te Prokuroria. Në letrën e dytë, ai kërkon zbardhjen e vrasjeve të pasluftës që shumëkush në partinë e koalicionit qeverisës, LDK, i lidh me SHIK-un dhe drejtuesin e tij, Kadri Veselin.
Presidenti Hashim Thaçi doli dje në një konferencë për media nëpërmjet të cilës tregoi se ka nisur katër letra në drejtim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës së Kosovës, presidenti në letrën e parë ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës, në letrën e dytë ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme.
Ndërsa, në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.
E në letrën e 4-të katërt, presidenti Thaçi ka thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.
Disa orë më vonë, ish-bashkëpartiakët e Thaçit, po festonin 17-vjetorin e themelimit të partisë, PDK, në një hotel në periferi të kryeqytetit.
Kjo parti tash drejtohet nga Kadri Veseli, i cili para se të ngjitej furishëm në krye të partisë, ishte figura kryesore e një shërbimi, për të cilin, shumë deputetë të partisë në koalicion me PDK-në, e fajësojnë për çështjen e letrës së dytë të Presidentit.
Letra e dytë është e lidhur me kryetarin e tanishëm të partisë, të cilën për 16 vite e ka udhëhequr vet presidenti.
Në letrën e dytë, presidenti ka kërkuar t’i kushtohet rëndësi edhe krimeve “serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike”.
“Por, edhe për rastet si ai në Grackë të Vjetër të Lipjanit, rasti në Gorazhdec të Pejës, ku u vranë dy fëmijë dhe rasti i sulmit në autobusin e ‘Nish-ekspresit’, në afërsi të Podujevës”, ka thënë presidenti.
Gjatë këtyre viteve, partia të cilën e drejtonte Thaçi ishte akuzuar shpesh nga deputetë dhe aktivistë të partisë së themeluar e drejtuar deri në vdekje, nga presidenti historik Ibrahim Rugova.
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri në një prononcim për Radiotelevizionin “Dukagjini” në prill të këtij viti, kur Thaçi u zgjodh president, kishte thënë se LDK-ja është partia më e dëmtuar nga këto vrasje, pasi i janë vrarë drejtues të tyre.
“Këto vrasje nuk janë zbardhur. Ne kemi pasur një akuzë kundër SHIK-ut, gjithmonë, dhe në krye të SHIK-ut ka qenë Kadri Veseli. Kadri Veseli për mendimin tim duhet të jap përgjigje pse nuk është ndërmarrë asgjë mu ndalu këto vrasje, ose pse janë bërë këto vrasje”, kishte thënë Gaxherri.
Një tjetër deputet i kësaj partie, Anton Quni në janar të këtij viti, kishte kërkuar sqarime prej Kadri Veslelit për vrasjet e pasluftës. Ai e ka lidhur SHIK-un me PDK-në, ku udhëheqësit e kësaj organizate kanë hyrë në partinë e Hashim Thaçit.
Madje ai kishte thënë se me dëshirë do të ballafaqohej me Veselin për të folur për vrasjet politike që kanë ndodhur pasluftës, por për të gjitha këto vrasje gishti drejtohet ka SHIK-u i Kadri Veslelit.
“Ekziston një perceptim jo-pozitiv për SHIK’un. Shumë pista, apo kur ngrihet çështja e vrasjeve misterioze shumë njerëz e drejtojnë gishtin kah SHIK-u”, kishte thënë deputeti i LDK-së.
E kryetari i kësaj partie, tash kryeministri Isa Mustafa, kishte thënë se “SHIK-u nuk është punë e tij” porse qeveria e tij do të lobojë në Gjykatën Speciale për të hetuar vrasjet pas lufte të dhjetëra politikanëve nga partia e tij pas luftës së viteve 1998-1999.
“Ne do të përpiqemi që kjo çështje të hetohet nga gjykata speciale, e cila do të fillojë punë së shpejti,” kishte Mustafa për mediat në një përkujtimore për aktivistin e LDK-së Enver Malokun, i cili u qëllua me armë në vitin 1999 jashtë shtëpisë së tij nga një person i paidentifikuar.
Gjykata e re, e cila pritet të operojë të paktën pjesërisht në Holandë, po ngrihet për t’u marrë me akuzat për rrëmbime dhe vrasje të ndodhura pas luftës, të ngritura në raportin e vitit të kaluar nga ana e Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së dhe pritet të gjykojë ish-zyrtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mustafa kishte thënë se vrasjet kishin ngelur shumë kohë pa u ndëshkuar, por pa drejtuar gishtin ndaj askujt. Sidomos ndaj partnerit të koalicionit PDK-së, dhe kryetarit saj Kadri Veseli, ish-drejtues i SHIK-ut.
“Veprime të tjera të cilat nuk janë në kompetencë të gjykatës speciale, ne do të përpiqemi të bëjmë që gjykatat vendase të merren me këtë, sepse është në interes të shtetit, dhe jo vetëm të familjeve të aktivistëve, por të të gjithë Kosovës që këto çështje të zgjidhen njëherë e mirë dhe që autorët marrin dënimet e merituara” tha ai.
Enver Maloku ishte një aktivist i LDK-së, i cili punoi si gazetar dhe themeloi Qendrën për Informimin e Kosovës, e cila ka shërbyer si burim kryesor informacioni gjatë viteve 1990 kur Kosova ishte nën kontrollin e Beogradit.
Aktivistë të tjerë të shquar të LDK-së të vrarë pas luftës janë edhe Xhemajl Mustafa, një themelues i partisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili u qëllua ndërsa po hynte në shtëpinë e tij në Prishtinë në nëntor të vitit 2000.
Në janar të vitit 2003, Tahir Zemaj, komandant i krahut ushtarak të LDK-së, e cila ishte gjoja në konflikt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, u zu pritë dhe u vra së bashku me djalin dhe nipin e tij.
LDK-ja tradicionalisht në të kaluarën kishte akuzuar SHIK-un, se pas vrasjeve të anëtarëve të saj fshihej ajo, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli.
Në vitin 2009, Kosova u trondit nga pretendimet e një ish të vetëquajturi agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili tha se agjencia kishte vënë nën shënjestër dhe kishte vrarë anëtarët e LDK-së.
SHIK-u doli nga radhët e UÇK-së pas përfundimit të luftës me forcat serbe në vitin 1999 dhe pastaj u bë krahu i inteligjencës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në vitin 2008 SHIK-u pohoi se ishte shpërbërë zyrtarisht. Ish-drejtor i saj Veseli ka thënë se agjencia nuk ka vrarë kurrë njeri, si edhe mohoi që Bllaca të ketë qenë ndonjëherë pjesë e SHIK-ut./Insajderi.com