Haki Rugova kundërshton akuzën për konflikt interesi, ndërsa kjo është fjala e prokurorisë

Haki Rugova kundërshton akuzën për konflikt interesi, ndërsa kjo është fjala e prokurorisë

Kryetari i Istogut, Haki Rugova, të enjten, ka kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, e cila e ngarkon atë për veprën penale të konfliktit të interesit.

Rugova akuzohet lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Mbrojtësi i të pandehurit Rugova, avokati Besnik Berisha ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kërkesës me shkrim për hedhjen e aktakuzës. Ndër të tjera, ai ka thënë se Prokuroria Themelore e Gjakovës ende nuk ka mësuar të bëjë dallimin mes kontratës për furnizim dhe kontratës për punë.

“Duhet një njohuri e thjeshtë e të lexuarit për të kuptuar se kontrata e lidhur mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con”, nuk është kontratë për furnizim as për shërbim, por e njëjta është kontratë pune, siç është titulluar në preambulën e saj”, ka thënë avokati Berisha.

Sipas tij kjo kategori e kësaj kontratë e bën nënshkrimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugova të panevojshëm.

“Prandaj pretendimi i Prokurorisë së zoti Rugova me nënshkrimin e tij ka vendosur lidhur me vlefshmërinë e kontratës në mes Komunës dhe kompanisë “Ma–Con” është tërësisht i pabazuar”, ka deklaruar Berisha.

Kurse, këto kërkesa nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Rugova, i ka kundërshtuar si të pabazuara prokurori Ramiz Buzhala, i cili e zëvendësonte prokurorin Agron Matjani. Sipas prokurorit Buzhala, i akuzuari Rugova, kur e kishte nënshkruar kontratën në favor të kompanisë “Ma-Con”, menaxhuar nga vëllai i tij, Gani Rugova kishte marrë pjesë personalisht në çështjen ku anëtari i familjes së tij realizon interes financiar.

“Me këtë veprim i hapë rrugë realizimit të kontratës në dobi të firmës së vëllait të tij dhe me nënshkrimin e të akuzuarit Rugova i ka mundësuar realizimin e interesit financiar për vëllain e tij”, ka deklaruar prokurori Buzhala.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se pretendimet e mbrojtjes se i akuzuari nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim që do të rezultonte me marrjen e vendimit lidhur me këtë tender nuk janë të qëndrueshme.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me kontratë me vlerë të madhe konfrom ligjit për Prokurimin Publik sipas të cilit kontrata me vlerë të madhe konsiderohet kontrata e furnizimit ose kontrata e shërbimeve, vlera e të cilës është e barabartë apo më e madhe ose mund të pritet të jetë e barabartë se 125 mijë euro, ku përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit duhet gjithashtu të nënshkruhen edhe nga zyrtari kryesor i autoritetit kontraktues”, ka thënë prokurori Buzhala.

Sipas tij, kontrata është në pajtim të plotë dhe hyn në kuadër të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se pretendimi i mbrojtjes së të pandehurit se kontrata e nënshkruar nga menaxherja e prokurimit Zize Bujupi, ka qenë zbatueshme pa nënshkrimin e Haki Rugovës, është i pabazuar.Ai ka kërkuar nga gjykata që kërkesën e tillë për hudhjen e akuzës ta refuzojë si të pabazuar.

Avokati Besnik Berisha, e ka njoftuar gjykatën dhe prokurorinë se në rast të refuzimit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës do të ftojnë në cilësinë e ekspertit të prokurimit Besim Mulaj dhe do të angazhojnë edhe një ekspertizë financiare për të rrëzuar pretendimet e Prokurorisë lidhur fitimin e dobisë financiare të kompanisë “Ma-Con”

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 17 Janar 2019, i akuzuari Haki Rugova ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion.

Rrjedhshmëria e procedurës penale në seancat paraprake. Seanca e parë në këtë rast, e paraparë të mbahej më 7 maj 2018, kishte dështuar për shkak të mungesës së kryetarit Rugova, i cili përmes një parashtrese, kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhej, me arsyetimin se ende nuk ka caktuar avokat mbrojtës.

Gjykatësi Sylë Lokaj, kishte thënë se të akuzuarit Rugova do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare, nëse ai nuk e bënë një gjë të tillëNdërsa, në seancën e paraparë të mbahej më 21 maj, Rugova nuk kishte prezantuar në seancë, edhe pse sipas gjykatësit Lokaj, ai ishte ftuar me rregull, por mungesën e tij, nuk e kishte arsyetuar.

Gjykatësi Lokaj, kishte paralajmëruar se në rast se i pandehuri Rugova nuk përgjigjet, do të ftohet përmes urdhëresës.Kurse, seanca e 10 shtator të vitit të kaluar, kishte dështuar pasi mbrojtësi i Haki Rugovës, avokati Besnik Berisha nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës dhe me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes, kishte kërkuar shtyrjen e seancës për një ditë tjetër.

Ndërsa, seanca e 5 nëntorit të vitit të kaluar, nuk ishte mbajtur për shkak se i akuzuari Rugova e kishte njoftuar gjykatën se ishte në udhëtim zyrtar dhe gjykatësi i çështjes, Sylë Lokaj ishte i angazhuar në një trajnim zyrtar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë. Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj. Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut. /BetimipërDrejtësi