Gara për kryetar të Degës së Katërt të LDK-së – Arben Gashin pritet ta sfidojnë Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa

Gara për kryetar të Degës së Katërt të LDK-së – Arben Gashin pritet ta sfidojnë Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa

Zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pritet të përballin tre kandidatë të rinj në moshë në Degën e Katërt.

Deputetin Arben Gashi, po provojnë ta sfidojnë Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa. Insajderi, ka mësuar se garën për kryetar të kësaj dege, tashmë po ndërhyjnë edhe strukturat qendrore të partisë.

Gashi, njihet si deputet që në shumë raste ka dalë edhe kundër partisë së tij. Derisa, kolegu i tij, Abdixhiku, njihet si i përkëdhelur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili po synon edhe një mandat në krye të LDK-së, por pa i hyrë zgjedhjeve në Degë, duke u privilegjuar si kandidat me të drejtë direkte për garë.

Nga ana tjetër, Besian Mustafa, është propozuar të mërkurën nga struktura e LDK-së e përbërë nga grupi i ashtuquajtur i Llapit, në krye me Agim Veliun.

“Të mërkurën ka ndërhyrë grupi i Veliut, me synimin që në krye të degës më të rëndësishme në Prishtinë ta sjellin një kryetar siç thonë ata, llapjan”, ka thënë burimi.

Abdixhiku, ndërkaq po synon që me zgjedhjen e tij në krye të kësaj dege ta fitojë mbështetjen e LDK-së, për kryetar Prishtine, ani se në zgjedhjet e fundit komunale ai e kishte refuzuar propozimin e strukturave të partisë për të garuar përballë, Shpend Ahmetit.

Në këtë përballje mes tri figurave të reja të LDK-së, pretendent kryesor shihet deputeti, Arben Gashi, i cili ka përvojën më të gjatë në parti.

Gashi, është pretendent edhe për kryetar të LDK-së. Javën e kaluar, Insajderi raportoi se Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Agim Veliu, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Arben Gashi dhe Avdullah Hoti, janë shtatë pretendentët për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Deri tash kandidaturën e ka shpall, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili njëherit është Kryetar i Komunës së Gjilanit.

“Besoj shumë që marrëveshja politike është mjeti i vetëm që LDK ka. Jam për marrëveshje, por nëse nuk ka marrëveshje unë kandidojë”, ka thënë Haziri.

Kryetari aktual Isa Mustafa pritet të rikandidojë për të parin e partisë, derisa atë janë duke e sfiduar pesë anëtar të LDK-së. Mirëpo kjo mund të ndryshojë vetëm nëse ka marrëveshje politike për zgjedhjen e një kandidati konsesnual, shkruan Insajderi.