Rënia dhe shkëlqimi i shoqes Tuna

Tuna erdhi në industrinë e showbizit me brumin e duhur për tu shndërruar në divë;  guximin për tu dalluar, talentin performues dhe prirjen për skandale.

Rënia dhe shkëlqimi i shoqes Tuna

Shkruan: Dhurata Hoti

Me tekste këngësh origjinale dhe prirjen për të rikrijuar personalitetin e saj performues, ajo arriti të mbetet gjatë në skenë, mu për shkak të kësaj aftësie për tu përshtatur, që edhe i  ka sjellë asaj një audiencë më homogjene se sa të kolegëve të saj. Tuna, si çdo artistë e performues tjetër, në mënyrë të vazhdueshme ka tentuar të bëj “her true calling” e në të njëjtën kohë të na kënaqë neve. Deri këtu, nuk duhet dyshuar që kjo është dëshira e çdo artisti.

Të gjitha gjërat shumë të mira dhe shumë të këqija vijnë prej teprimeve. Vet paaftësia e njeriut për të tejkaluar masën është fascionuese.

Tuna dhe secili artist varet prej nevojës tonë për art në jetët tona herë spektakulare e herë mjerane. E ajo ka arritur të kuptojë se si ne si audience na prekin kryesisht skandalet dhe tragjikja. E Tuna të dyja i ka të natyrshme në personën performative dhe atë reale.

Zënka me kolegë, thashetheme, lidhje pasionante e toksike, që herë i përdor si inspirim e herë si instinkt destruktiv,e në fund skandali me familjen e bashkëshortit të tanishëm janë vetëm disa nga ‘high lighte-ve’ me të cilët jemi ushqyer ne si publik dhe ajo ka arritur të bëhet temë e tavolinave tona gjatë takimeve për kafe edhe kur këngët e saj filluan të mos bëheshin hite.  Në këtë pikë duket sikur aftësia për t’u përshtatur dhe për të rikrijuar imazhin e saj e tejkaloi masën dhe filloi të ngjasojë me çdo këngëtare tjetër. Kështu që ajo vendosi të kthehet “back to the basic”.

Dhurata Hoti

Risjellja e një prej këngëve më të mira të Armend Rexhepagiqit “Harrova” si duet, që duket sikur është bërë për tu kënduar si duet prej të dyve, është ajo një prej pjesëve më të bukura të albumit. Ndërsa bashkëpunimi me artistin Astrit Ismaili duket sikur ia ka dhënë një prekje më cool, por sikur i mungon diçka për të pasur atë stilin “astritian” sikur vërehet te videoja e këngës së Era Istrefit.

Albumi “Fortunë” vjen si bashkëpunim me Armendin dhe Aidën që pas një mungese të gjatë e kanë marrë vlerësimin e duhur por prapë nga një pakicë e audiencës. Megjithatë, tekstet nuk u ngjajnë atyre që jemi mësuar të presim prej dy artistëve më avangardë të estradës tonë, prapë duhet vlerësuar gjetja e Tunës në këtë pikë. Ajo bashkë me albumin ka sjellë nostalgjinë për të cilën paskemi pasur nevojë, dhe ka ditur të gjejë momentin e duhur për ta bërë. “Fortunë” u lansua në pranverë, në stinën kur të gjithë jemi pak melankolik e pak ëndërrues, kur fillon e shpreson se gjërat mund të marrin kahe të mirë. E albumi në fjalë vjen herë si kërkim falje e herë si çlirim duke e ekspozuar Tunën e vërtetë në sytë tanë, ose të paktën atë që ajo do të duket si e vërtetë. E si duket kjo ishte ajo për të cilën kishim nevojë. Një tregim shumë intim i Tunës i thënë përmes tingujve tragjik të muzikës së Aidës dhe Armendit.