Aktakuzë ndaj personit që vuri në qarkullim barëra me afat të skaduar

Aktakuzë ndaj personit që vuri në qarkullim barëra me afat të skaduar

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.K., pasi që vuri në qarkullim barëra të dëmshme mjekësore.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 22 shkurt 2019, në barnatoren ‘’Greta Pharm’’, në komunën e Kamenicës, ka shpërndarë produkte të dëmshme mjekësore, në atë mënyrë që gjatë kontrollimit nga Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, u konstatua se i pandehuri ka vënë në qarkullim një sasi të konsiderueshme të barërave pas datës së skadimit dhe pa banderolla, të cilat janë të dëmshme për shëndet.

Gjithashtu, i pandehuri, në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtarinë farmaceutike, ashtu që pa kualifikim adekuat profesional, ka ofruar shërbime farmaceutike, edhe përkundër faktit që me profesion ishte ekonomist.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale: ‘’Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ nga neni 266 paragrafi 2 dhe ‘’Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike’’ nga neni 262 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri B.K., ka qenë nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 22 shkurt 2019, deri më 13 mars 2019.