
Deklarata e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, se miku i tij Qazim Osmani- i njohur për biznesin e lojërave të fatit dhe basteve- nuk ka interes të investojë në Kosovë, del të jetë e pavërtetë për faktin se familjarë të biznesmenit Osmani posedojnë kompani të lojërave të fatit që operojnë në Kosovë.
Kompania e basteve “ProBet”, cila është në pronësi të Bekim Osmanit, vëllait të biznesmet Qazim Osmani, është regjistruar si biznes në Kosovë prej më shumë se dy vitesh.
Siç dëshmohet në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), vëllai i Qazim Osmanit mban 50 për qind të aksioneve në kompaninë e lojërave të fatit “ProBet SHPK”, raporton Insajderi.
Kompania “ProBet SHPK” merret me aktivitetin e lojërave të fatit dhe basteve dhe është e zgjeruar në disa qytete të Kosovës. Ajo ka shtatë njësi në pesë qytete të ndryshme të Kosovës – përfshirë edhe Prishtinën.
Dokumenti që ka siguruar Insajderi në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) dëshmon se deputeti Naser Osmani po mashtron në lidhje me afërsinë e tij me Qazim Osmanin dhe për lidhjet e tij me biznesin e lojërave të fatit në përgjithësi.
I kontaktuar nga Insajderi të mërkurën, deputeti Osmani është irrituar nga pyetjet e Insajderit për lidhjet e tij me Qazim Osmanin, njeriun e famshëm të këtyre bizneseve.
Ai është shprehur se nuk beson që miku i tij do të vijë në Kosovë për të hapur të tilla biznese, ndoshta në veri të vendit, aty ku shteti i Kosovës nuk qeveris. Ai ka thënë se Qazim Osmani nuk është i përmasave të Kosovës.
“Qazim Osmani nuk ka kazino në Kosovës, as nuk besoj që vjen ai në Kosovë se nuk është i përmasave të Kosovës, është një biznesmen që vepron tjetërkund, në Gjermani e tjetërkund, jo në Kosovë, kështu që mos i ngatërroni senet”, është shprehur deputeti i LDK-së.
Deputeti i LDK-së është fotografuar disa herë teksa shoqërohej nga Qazim Osmani. /Insajderi.com
Deputeti që kërkon mbylljen e lojërave të fatit është mik i Qazim Osmanit të njohur për kazino