Tash e tre ditë zjarrfikësit në Ferizaj në luftë me zjarrin në male

Tash e tre ditë zjarrfikësit në Ferizaj në luftë me zjarrin në male

Malet në Kosovë për çdo ditë po digjen, ku sipas disa të dhënave që posedon Indeksonline, vetëm sot në tërë vendin janë regjistruar 98 raste të zjarrit.

Edhe malet e fshatit Komogllav të Komunës së Ferizajt janë duke u djegur që tri ditë.

Për shkak të terrenit të papërshtatshëm, zjarrfikësit që tri ditë janë duke u munduar ta shuajnë zjarrin në këtë pjesë.

Përveç ndotjes së ajrit në masë të madhe, janë rrezikuar edhe shtëpitë të cilat janë shumë afër maleve.

Lendrit Bislimi nga Brigada e Zjarrfikësve në Ferizaj për Indeksonline ka treguar se ata që disa ditë po bëjnë përpjekje ta shuajnë zjarrin.

Ai thotë se një ekip është duke e mbikëqyrur situatën në këto male.

“Në ambient të papërshtatshëm dhe të pasiguruar, ekipi jonë ka intervenuar në shpëtimin e  shtëpive që ishin afër. Që tri ditë është duke u djegur mali sepse terreni është shumë i pa përshtatshëm. E kemi dërguar një ekip aty për mbikëqyrje. Për momentin janë duke lufutar me zjarrin që ta shuajnë më shpejtë pasi ka tri ditë kjo gjendje dhe po shkaktohet ndotje e madhe. Kështu që besojmë që sot do ta përfundojmë punën në këtë pjesë”, ka thënë ai.

Bislimi ka kërkuar nga qytetarët të mos ndezin zjarre.

“Kërkesa jonë është që mos të ndezin zjarre, sepse jo vetëm që po bëjnë ndotjen e ambientit, por po rrezikojnë jetën e tyre, kafshëve dhe jetën e zjarrfikësve që duhet patjetër të intervenojnë”, ka thënë ai për Indeksonline.