Sa më parë që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës, aq më mirë do të jetë edhe për të. Këto komente i ka bërë kryeministri Edi Rama gjatë bisedës joformale me kryeministrin Aleksandar Vuçiç në Forumin e Sigurisë në Beograd.
Hapja e madhe e forumit solli kryeministrat në qendër të vëmendjes. Të relaksuar fillimisht dhe më pas në biseda serioze, debati u ndez si gjithmonë kur u përmend Kosova.
Rama tha se mbështet fuqishëm dialogun dhe krijimin e një jete më të lumtur për të gjithë qytetarët. Por, vijoi ai, nuk e kupton qëndrimin e Serbisë. Sa i takon Trepçës, “ajo është e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
“Diçka që dëgjoj të flitet që kur erdha dje është Trepça. Trepça për mua është një minierë, ajo ndodhet në zemër të Kosovës, ç’do të bëni, do ta lëvizni dhe do ta sillni këtu në Beograd? Edhe në Kosovë duhet ta kuptojnë se ajo është një minierë që i takon të gjithë qytetarëve të saj, shqiptarë dhe serbë”, deklaroi Rama.
Vuçiç u duk i shqetësuar fillimisht. Por, i përmbajtur, ai tha se nuk e ka problem të dialogojë, por është Kosova, sipas tij, që nuk tregon gatishmëri për këtë.
“Edi Rama është një politikan më i mirë se unë. Nuk kam dashur të flas keq për njerëzit në Prishtinë sepse nuk është në karakterin tim. Por Prishtina ka bërë gjënë më të keqe kur bëhet fjalë për ekonominë dhe Trepçën. Nuk kanë dashur të flasin as me serbët që punojnë në Trepçë dhe kanë anashkaluar çdo gjë. S’mund të shohim gjithmonë gjërat nga këndi racional”, tha Vuçiç.
Mes të tjerash, Vuçiç lavdëroi kancelaren Angela Merkel kur foli për krizën e refugjatëve, ku Serbia ishte një pasqyrë e mirë. Rama theksoi se shqiptarët kanë dashur gjithmonë të jenë pjesë e Europës dhe se nuk kanë dy dashuri si Serbia: edhe BE-në edhe Rusinë. Ne, tha Rama, dashurinë tonë e kemi të qartë.
Ndërsa Vuçiç u përgjigj duke thënë se, “ndoshta shqiptarët janë kundër Rusisë, por ne duam ta kemi mirë me të gjithë”. Më tej, Rama thumboi duke thënë se, e di që Merkel do të jetë kancelare sërish, por Donald Trump jo.
Rama: Jam i sigurt që Merkel do të jetë kancelare dhe Trump s’do jetë president.
Vuçiç: Më vjen mirë që Rama e di me siguri, se unë s’e di me siguri këtë gjë.
Rama: Për BE dhe SHBA i di mirë gjërat, për Moskën do të të pyes ty se s’jam i informuar.
Megjithatë, takimi ka përfunduar në paqe dhe shtrëngim duarsh, duke theksuar se megjithatë rruga e shqiptarëve dhe serbëve do të kryqëzohet gjithmonë./TCH