Punësimi dhe arsimi, sfidat më të madhe për të rinjtë e Kosovës

Punësimi dhe arsimi, sfidat më të madhe për të rinjtë e Kosovës

Sfidën më të madhe për të rinjtë e Kosovës e përbën punësimi dhe arsimi. Kështu u tha sot nga Fondacioni Friedrich – Ebert (FES), ku u paraqitën rezultatet nga studimi i kryer për rininë, i cili ofron dëshmi për perceptimet dhe mendimet e të rinjve kosovar. Studimi është kryer nga Instituti për Hulumtim dhe konsulencë IDRA në vitin 2018.

Më shumë se gjysma e të rinjve në vend ose 54 % nuk punojnë në profesionin e tyre, ndërsa më shumë se 2 nga 5 të rinj ose 44 % janë të mbiarsimuar për vendet e punës që kanë. Ngjashëm, çdo i katërti prej të rinjve nuk është as në trajnim, arsim ose i punësuar.

Në këtë studim theksohet se jeta e kosovarëve të rinj në masë të madhe përcaktohet nga kontradiktat e mëdha. Përkundër shqetësimeve të mëdha lidhur me arsimin, punësimin dhe rënies së ndjeshme të interesimit në politikë, të rinjtë në Kosovë u deklaruan të jenë të kënaqur me jetën e tyre dhe optimistë për të ardhmen.

Mirëpo, gjysma e rinisë kosovare dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre. Ndonëse, ky numër ishte ndjeshëm më i lartë në vitin 2012 me (70%), ai tregon për urgjencën e reagimit ndaj sfidës së largimit të trurit.

Sipas perceptimit nga të rinjtë, mungesa e përfaqësimit ishte njëra prej gjetjeve më shqetësuese të këtij studimi. Sipas Studimit për Rininë, vetëm 10% e të rinjve kosovarë konsiderojnë se interesat e tyre përfaqësohen “mirë” në politikën kombëtare, e që paraqet një rënie prej 42%, krahasuar me vitin 2012. Në këtë kontekst, studimi përshkruan se Kosova është duke u ballafaquar me një sfidë e shkaktuar nga apatia dhe tërheqja e të rinjve nga politika.

Përderisa liderët fetarë dhe organizatat ndërkombëtare e gëzojnë një besim bukur të lartë, nga ana tjetër rreth gjysma e të rinjve kosovarë aspak” nuk u besojnë partive politike, presidentit ose qeverisë qendrore. Studimi po ashtu reflekton për një skepticizëm të të rinjve ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe medieve.

Shqetësimet më të mëdha për të rinjtë kosovarë janë korrupsioni me 81 %, varfëria në rritje në shoqëri me 74 % dhe padrejtësia sociale me 68 %, kurse familja sipas tyre paraqet bazën kryesore të stabilitetit në jetën e të rinjve. Familja është e gjithëpranishme në pothuajse të gjitha fushat e jetës së tyre, duke përfshirë këtu edhe kohën e lirë dhe vendimmarrjen, si dhe stilin e jetës të cilin të rinjtë e duan.

Nga rezultatet e këtij studimi, FES-i ka bërë formulimin e tri konkluzioneve dhe rekomandimeve. Në përputhje me rrethanat, një përshtatje e sistemit arsimor me qëllim të përgatitjes së të rinjve për tregun e punës dhe ofrimit të edukatës qytetare për rritjen e vetëdijes demokratike dhe promovimi i qytetarisë aktive janë të nevojshme për të ju përgjigjur sfidave aktuale me të cilat janë duke u ballafaquar të rinjtë e Kosovës.

Për më tepër, rënia e ndjeshme e interesimit politik dhe perceptimi për mungesën e përfaqësimit, e nënvizojnë nevojën që institucionet politike dhe organizatat nga shoqëria civile të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për rikthimin e besimit të të rinjve dhe të ofrimit të mundësive reale për pjesëmarrje në politikë. Mundësia e vetme për adresimin e sfidës së migrimit dhe largimit të trurit konsistojnë në krijimin e kushteve për një punë dhe jetë të denjë për të rinjtë në Kosovë.

Studimi për Rininë e Kosovës 2018/2019 është pjesë e hulumtimit ndërkombëtar për rininë i realizuar në të njëjtën periudhë kohore në dhjetë shtete të Evropës Juglindore. Objektivi kryesor i këtyre studimeve ka qenë identifikimi, përshkrimi dhe analiza e qëndrimeve të të rinjve dhe e modeleve të sjelljes në shoqërinë bashkëkohore.