Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale, ndonëse është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet ftesës së mundshme të kësaj gjykate.
Në një intervistë për emisionin “Debat +” në RTV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se do t’i përgjigjej një ftese të mundshme të Speciales, edhe pse ka thënë se këtë gjykatë e cilëson si “politike dhe të dëmshme”.
“Jo nuk kam marrë ftesë [nga Gjykata Speciale, v.j], por jam i gatshëm”, ka thënë ai. “Unë e kam thënë se është gjykatë politike, dhe si e tillë e shoh si gjykatë të dështuar.”
Po ashtu, Haradinaj ka deklaruar se “është e pandershme që njerëzit që janë thirrur më parë nëpër tribunale të ndryshme, tash me u thirrë prapë nga Gjykata Speciale”.
Haradinaj kishte votuar kundër formimit të Gjykatës Speciale në vitin 2013, kur ishte ishte miratuar Ligji për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës. /Insajderi.com