Përfitimet e ministrit serb nga paratë e “terroristëve” shqiptarë

Përfitimet e ministrit serb nga paratë e “terroristëve” shqiptarë

Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, tash e dy vjet ka mbajtur këtë post në qeveritë e Kosovës. Todosijeviq, i cili gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s i ka quajtur shqiptarët terroristë që trilluan masakrën e Reçakut, per dy vjet ka marrë pagë mujore nga paratë e “terroristëve”, shkruan Insajderi.

Gjatë qeverisë “Mustafa”, në prill të 2017-ës, ish-kryeministri Isa Mustafa e kishte emëruar Todosijeviqin ministër të MAPL-së, pas dorëheqjes enigmatike të Mirjana Jevtiq, pak ditë pas emërimit.

Mustafa e kishte pritur Todosijeviqin zyrën e tij, bashkë me shefin e atëhershëm grupit parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Sllavko Simiq.


Todosijeviq qëndroi vetëm 20 ditë si ministër në qeverinë e Mustafës, pasi që më 10 maj 2017 deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 78 vota për, votuan mocionin e mosbesimit për ta rrëzuar qeverinë.

Megjithatë, Todosijeviq u rikthye si ministër i MAPL-së 5 muaj më vonë.

Më 9 shtator, ai u bë përsëri ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e re të Kosovës.

Shteti që Todosijeviq e quan “Kosova e Metohija” e ka paguar atë tash e dy vjet nga taskat e kosovarëve, të cilët ministri serb i quan “terroristë”.

Ministri serb që nuk ka deklaruar pasuri të majme, duket se pagën si ministër në Kosovë e ka pasur shumë të rëndësishme.

Në deklarimin e pasurisë së tij që e kishte bërë muajin e kaluar, Ivan Todosijeviq deklaron se pagë mujore merr vetëm nga shteti i Kosovës. Paga mujore e tij e deklaruar është  1 mijë e 108 euro (1.108.47).

Ivan Todosijeviq ka përfituar nga posti i ministrit rreth 32 mijë e 700 euro. Rreth 12 mijë e 700 euro i ka përfituar në 10 muajt e parë të detyrës së tij. Ndërkaq pas vendimit për rritjen e pagave të ministrave në 2 mijë euro, ai përfitoi edhe rreth 20 mijë euro të tjera.

Gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, Todosijeviq ka mohuar të ketë pasur masakër në Reçak, si dhe shqiptarët e Kosovës, që luftuan për çlirimin e vendit, i ka quajtur terroristë.

Kjo i ka kushtuar atij humbjen e vendit të punës, pasi që pak orë pas publikimit të këtij lajmi, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj e ka shkarkuar atë .

“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, ka njoftuar Haradinaj përmes Facebook-ut.

Në një tubim në Zveçan, për 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, Todosijeviq i kishte quajtur agresion bombardimet, duke thënë se “Reaçaku është rrëfim i trilluar nga terroristët shqiptarë”.

“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Todosijeviq, deklaratë të cilën e ka transmetuar Zëri i Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.

Për një deklaratë të ngjashme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e kishte shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq.

Ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Kosovë, ajo e kishte quajtur “agresion”.

Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur. /Insajderi.com