Shpenzimet e Qeverisë – Afër 1 milion euro për paga meditje, dreka, darka e karburante

686. 371 euro kanë shpenzuar shtatë ministri të qeverisë së Kosovës vetëm gjatë vitit të kaluar për paga, meditje, dreka, darka, karburante e telefona. Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në të gjitha shpenzimet e qeverisë dhe ministrivë, por ka marrë përgjigje brenda afatit ligjor nga numri minimal i tyre. Zyra e kryeministrit është arsyetuar se ende nuk ka përfunduar raporti i shpenzimeve. Insajderi nga e premtja nis me publikimin e serisë së shkrimeve për këto shpenzime.

Shpenzimet e Qeverisë – Afër 1 milion euro për paga meditje, dreka, darka e karburante

Vetëm shtatë ministri nga 21 sa ka Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, janë treguar transparent rreth shpenzimeve që kanë bërë nga takasapaguesit kosovarë.

Brenda afatit ligjor, të paraparë me ligjin për Qasje në Dokumentet Publike, kanë kthyer përgjigje  Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rajonal, Ministria për Kthim dhe Komunitete dhe Ministria e Integrimeve.

Shumica prej tyre ofruan qasje në shpezimet e kërkuara nga gazeta, për ministrin, zëvendësministrat, këshilltarët dhe anëtarët tjerë të kabinetit. Por disa nga to orfuan vetëm shumën për paga dhe shpenzime tjera, pa u specifikuar, shkruan Insajderi.

Zyra e kryeministrit dhe 13 ministri tjera nuk kanë ofruar qasje në dokumentet e kërkuara nga gazeta.

Bazuar në këto lista të shpenzimeve del se këto shtatë ministri kanë shpenzuar 686. 371 euro për paga, meditje, dreka, darka, karburante e telefona.

Qeveria është arsyetuar se raporti financiar ende nuk ka përfunduar. Sipas kësaj përgjigje pasi raporti të miratohet nga qeveria do të procedohet në Kuvend dhe zyrën kombëtare të Auditimit.

“Raporti Financiar vjetor i cili përmbanë transaksionet financiare të institucioneve të Kosovës nga buxheti i Republikës së Kosovës, fondet në mirëbesim, grantet e përcaktuara të donatorëve, të hyrat e dedikuara dhe huamarrjet përgatitet nga Minsitria e Financave dhe i dërgihet Qeverisë për shqyrtim dhe miratim më së largu deri me 31 mars të vitit vijues për vitin buxhetor paraprak”, thuhet në përgjigjen e qeverisë.

Sipas kësaj përgjigje pas miratimit nga Qeveria, raporti i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Kuvendi shqyrton Raportin në ndonjërën nga Seancat e rregullta por nuk ka ndonjë afat të caktuar për shqyrtim. Zyra Kombëtare e Auditimit duhet të përgatis Raportin Vjetor të Auditimit deri në fund të Korrikut të vitit vijues për vitin paraprak. Çdo raport para kësaj kohe është i paplotësuar dhe si i tillë nuk pasqyron gjendjen reale”, thuhet në përgjigje.

13 ministritë tjera ende nuk i janë përgjigjur kërkesës së gazetës.

Insajderi nga nesër nis me publikimin e serisë së shkrimeve me shpenzimet e ministrive. /Insajderi.com