Gjuriq: Nuk do të kalojnë tentimet që serbët në Kosovë të ndahen

Drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq ka deklaruar se serbët Kosovë do të mbeten të bashkuar, dhe të tubuar rreth Listës Serbe dhe Serbisë dhe ka porositur se “nuk do të kalojnë truket politike” që serbët të ndahen nga brenda në mënyrë që të merret kontrolli në këtë territor.

Gjuriq: Nuk do të kalojnë tentimet që serbët në Kosovë të ndahen

Gjuriq ka deklaruar për televizionin serb RTS se ajo që përfaqësuesit serb janë shkarkuar në Qeverinë e Kosovës për shkak të deklaratave të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe për masakrën e Reçakut, është futja e deliktit verbal “me qëllim që serbët të shkelen, poshtërohen dhe frikësohen”.

“Kjo nuk do të ndodhë, serbët në Kosovë do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre. Këtë e kanë bërë në kushte edhe më të vështira dhe nuk duhet lejuar që Ramush Haradinaj apo cilido tjetër t’i frikësojë”, ka porositur Gjuriq.

Ai ka shtuar se dikujt i dhemb që ish ministri i administrimit lokal në Qeverinë e Kosovës Ivan Teodosijeviq dhe zëvendësja e ministrit të drejtësisë Vesna Mikiq kanë folur të vërtetën për ngjarje të viteve të nëntëdhjeta.

“Ivan Teodosijeviq nuk ka thënë asgjë të pavërtetë, ai ka thënë të vërtetën dhe ne nuk do të lejojmë që as ai e as askush tjetër të jetë viktimë për shkak se ai ka folur të vërtetën”, ka porositur Gjuriq./Insajderi.com.