Qentë sulmojnë studentin në oborrin e fakultetit

Qentë sulmojnë studentin në oborrin e fakultetit

Një rast i rëndë i ka ndodhur një studenti të Fakultetit Teknik të dielen e 7 prillit.

Valdrin Januzi përmes Facebook ka treguar rastin se si qentë e kanë sulmuar atë në oborrin e fakultetit duke i lënë lëndime trupore si thyerje të gishtërinjve dhe gërvishtje të lehta.

Januzi ka thënë se qentë nuk ishin endacak por kishin pronar por që këta të fundit nuk janë munduar ta ndalojnë sulmin ndaj tij.

“Në fillim nuk ika dhe po mundohesha që t’i trembja, mirëpo, kur e pashë që filluan të më kapin nga pantallonat, instikti më bëri që të ikja nga ta. Duke provuar për t’iu shmangur, u rrëzova dhe po mbroja fytyrën”, ka thënë Januzi.

Ai thotë se pronarët e qenve nuk u interesuan për gjendjen e tij dhe kështu, e lanë të shkonte i vetëm deri në ambulancë për të marrur trajtimin mjekësor.

“Pasi bëra fotografimin e dorës kuptova që gishtin e katërt e kisha thyer ndërsa të tjerët të lënduar më lehtë”, tregon Januzi.

Ai e ka denoncuar rastin në polici ndërsa sipas tij, policët i kanë thënë se nuk ka ligj të tillë i cili mund t’i dënojë rastet e tilla.

“Dhe në fund, përveç që këtë shkrim publik po e bëj që pronarët e qenve të marrin dënimin maksimal, po e bëj që edhe shteti të intervenojë që dikush pas meje të mos përfundojë edhe më keq. E nëse nuk ka ligj, atëherë të mblidhen deputetët e të vendosin ligjin që pronarët të mos i lënë qentë më ambientet ku kalojnë njerëzit”, ka shkruar Valdrin Januzi në Facebook.