Z. President, kërko ndjekjen penale të Hashim Thaçit! 

Përgjigje ndaj thirrjes së Thaçit për vlerësimin e sistemit të drejtësisë

Z. President, kërko ndjekjen penale të Hashim Thaçit! 

Presidenti i vendit është vërtetë plot humor, siç shihet në deklarimin e tij gjatë konferencës së mbajtur ditë më parë ku përgëzon sistemin e drejtësisë dhe njëkohësisht njofton publikun se na paskësh dërguar katër letra Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, ai vazhdon të na mahnitë me sensin e hollë të humorit që ka.

“[…] Çdo ditë po shohim rezultate konkrete në instalimin e rendit dhe ligjit. Ftoj të gjithë qytetarët që të bashkohen në vlerësimin e tyre të sistemit të drejtësisë. Gjithsesi mund të bëhet edhe më shumë”, kishte thënë ai ndër tjerash në konferencën e jashtëzakonshme për media.

Presidenti i nderuar në togfjalëshin e tij përdor antitezën si figurë letrare stilistike. E pikërisht këtu qëndron thelbi i sarkazmës së tij. Jo vetëm se me vetëdije të plotë tallet me ne, qytetarët e këtij vendi, por siç duket ka mjeshtëruar rolin e Josef Fushesë deri në atë shkallë sa nuk arrin ta shoh anakroninë e vet në të cilën po ngulfatet dita-ditës.

Cilat rezultate konkrete të instalimit të rendit dhe ligjit po i shohim ne? Se çfarë sheh presidenti nuk mund ta dijë, por ajo se çfarë shoh unë dhe shumica dërmuese e popullatës është se Kosova renditet e 103 nga 160 shtete sa i përket nivelit të korrupsionit sipas Transparency International në vitin 2015. Unë shoh politikanë me aktakuza tek vazhdojnë të mbajnë poste shtetërore. Unë shoh politikanë të dënuar tek enden burgjeve thuajse janë në hotele me pesë yje. Unë shoh skandalet e Aferave ‘Pronto’ tek dëshmojnë se krimi institucional ka metastazuar duke ia humb shpresën një populli të tërë.

Andaj, pyes presidentin e vendit lidhur me ato katër letrat e tij të famshme për t’i kushtuar vëmendje të veçantë krimeve të kryera në katër faza, se si ai si president i Republikës do ta dënojë Hashim Thaçin?

I Nderuar President, ju e dini shumë mirë se Hashim Thaçi nuk ka qenë ‘qengj’ gjatë përfundimit të luftës dhe jo vetëm. Z. President, ju e dini më mirë se unë akuzat drejtuar klanit të Thaçit dhe mikut të tij Veselit lidhur me vrasjet e pasluftës. Unë vetëm se kam lexuar dhe parë debate në parlamentin e Kosovës lidhur me to, ndërsa ju, duke pasur aparatin shtetëror dhe shërbimet e inteligjencës duhet të dini shumë më shumë.

Kuptohet se të mohonit një gjë të tillë do ju bënte të dukeshit gënjeshtar ose halldup e kokëgdhe.

I Nderuar President, si do ta dënoni dhe ç’masa do merrni ndaj përfshirjes së Hashim Thaçit në Aferat ‘Pronto’?

I Nderuar President, keni një sfidë të madhe para jush. Bashkë me beneficionet e pozitës që keni ju takojnë edhe përgjegjësitë, andaj përgjegjësi e juaja është përndjekja ligjore e Hashim Thaçit për krim të organizuar dhe korrupsion. Vetëm të keni kujdes Z. President, meqenëse populli thotë “gjarpri ka këmbë por nuk i shihen. Ka edhe besë por nuk i zihet”.

(Autorja është aktiviste dhe njëra prej organizatorëve të protestës #Protestoj. Titulli është i Redaksisë)