Pjesëtari i ISIS-it, “mbrohet në heshtje“

Shkruan: Hamdi Reqica

Pjesëtari i ISIS-it, “mbrohet në heshtje“

As pjesëmarrja kaq masive e shqiptarëve radikal mercenar në luftën e të ashtuquajturit „Shteti Islamik“, dhe as pjesëmarrja e shqiptarëve në luftën e Çanakalasë nuk mund të kuptohet me një mendje të shëndoshë!

Vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë por edhe pushtimit të pjesës veri-lindore të tokave shqiptare, në momentin e shembjes totale të një perandorie të tërë, shqiptarët me mijëra sosh ia mësyen Çanakalasë, për ta mbrojtur e shpëtuar një perandori të humbur, e në ndërkohë sllavët vazhdonin të masakronin popullin e tyre!

Shkuarja e tyre atje, për ti ndihmuar ish pushtuesit, vërtetë është e pakuptueshme!

Ne sikur kemi dhembje dhe nostalgji për ish pushtuesit! Sikur duam ende të identifikohemi me ta dhe kjo e bënë të pjekur kushtin për ndryshimin e nocionit nga „Sindromi i Stockholmit“ në „Sindromi i Shqiptarëve“!

Por, edhe më e tmerrshme dhe jashtë çdo logjike të shëndoshë është pjesëmarrja në luftën e ISIS-it, pikërisht, pse ISISi kishte një ideologji fashiste, raciste, totalitariste për shfarosje të llojit tê vet dhe të çdokujt tjetër, dhe ti bashkohesh atij, mund të arrishë  në përfundim se kanë dështuar të gjitha masat sociale, etike, morale, penale, religjioze dhe psikologjike të vjetra sa vet njeriu dhe metodat bashkëkohore për ta bërë njeriun njeri!

Dhe këtu, mund ta kuptosh, se, nuk mund ta kuptosh pjesëmarrjen e tyre në këtë formacion barbar!

Ky dështim, në aspektin politik neve shqiptarëve, e sidomos Kosovën e ka vënë në një pozitë shumë të rëndë në arenën ndërkombëtare.

Jo rastësisht ndodhë ngecja e prosperimit te të dyja shteteve shqiptare në proceset integruese në BE, liberalizimin e vizave, zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi, ngecja e njohjeve etj, etj.

Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, kanë detyrë të rëndë para vetes, kanë detyrë të dëshmojnë shumë e shpeshë atë shpirtin e dëlirė, humanist, tolerant, mirekuptues që e posedojnë dhe mos ti krijojnë hapësirë radikalëve ngado që vijnë ata, qoftë politik a religjioz!

Në këtë luftë të përditshme, beteja e radhës është të gjendet rruga se si të veprohet me ata mercenar radikal, gratë e fëmijët e tyre të cilët janë kthyer e do të kthehen në vijim!

Dhe, me ta nuk është lehtë të punohet, e rasti më i mirë për ta kuptuar këtë është „mbrojtja në heshtje“ para gjykatës e një ish mercenari radikal të sapokthyer!

Kaq tmerrësisht i egër e barbarë, i paedukatë e mosmirenjohës, i papërmirësueshëm dhe i pa risocializuar është ky lloj!

Një shtet i tërë, me krejt mekanizmat e tij institucional dhe me përkrahjen dhe ndihmen edhe të SHBA-ve, bënë të pamundurën që ata fëmijë, gra e mercenar radikal të kthehen në Kosovë dhe të shpëtojnë nga vdekja e sigurtë në Siri, dhe këta, në vend se ti falendërohen shtetit dhe të bashkëpunojnë me të, të pendohen për barbarizmat dhe ti kërkojnë falje Kosovës dhe popullit shqiptar që na kanë njëllosur me këtë vepër, me veprat e tyre barbare, ata zgjedhin të „mbrohen në heshtje“!

Kosova ka një sfidë të rëndë para vetes!

Por këta radikalist mos të gëzohen para kohe. Ne kemi fituar kundër Perandorisë Osmane, kundër Serbisë, e do të fitojmë edhe kundër jush!