Inspektorati i Punës thotë se ka dal një problem tjetër me rrëzimin e hotel “Adriatik”

Inspektorati i Punës thotë se ka dal një problem tjetër me rrëzimin e hotel “Adriatik”

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka thënë se ka dal një problem tjetër me rastin e rrëzimit të ish-hotel Adriatikut, me ç’rast ka humbur jetën 28-vjeçari, Visar Behrami.

Ibrahimi në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se inspektorët janë në vend të ngjarjes dhe tash janë duke e parë një aspekt tjetër për sigurinë e ndërtesës.

“Inspektori ka qenë atje dhe tash mbetet në vazhdimësi. Kemi një problem tjetër, tash jemi duke e parë një aspekt tjetër për sigurinë e ndërtesës pasi që kjo ndërtesë nuk ka qenë në funksion tash e një kohë dhe si kompetentë për të janë kuvendi komunal në Mitrovicë dhe inspektorati komunal”, ka thënë Ibrahimi.

Tutje Ibrahimi ka deklaruar se “sipas informatave, siç e keni parë edhe ju atje është shemb ndërtesa dhe duhet të shihet se a ka të bëj me sigurimin e ndërtesës dhe mënyrën sesi kanë leju ata”.

Ibrahimi ka bërë të ditur se inspektorati nuk mund të dal menjëherë me një raport lidhur me rastin derisa të përfundojë të gjitha hetimet, shkruan Insajderi.

Ndërsa sot Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se ka marrë vendim për ndalimin e pronarit të hotel “Adriatikut” në Mitrovicë dhe pronarin e kompanisë që ka qenë duke i kryer punimet në këtë objekt.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni, ka thënë për Insajderin se ende nuk janë të qarta rrethanat që çuan deri te shembja e hotelit.

“Dy persona janë ndaluar në lidhje me rastin dhe tre dëshmitarë janë intervistuar. Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Preteni./Insajderi.com