Tragjedia në Prishtinë, neglizhencë e institucioneve të drejtësisë

Tragjedia në Prishtinë, neglizhencë e institucioneve të drejtësisë

Po të vepronin siç duhet institucionet e drjetësisë ën Kosovë, rasti i djeshëm tragjik nuk do të ndodhte.

Kjo pasi që për dorasin që vrau gruan dhe nusen e djalit Policia kishte ushtruar në Prokurori kallëzim penal qysh në vitin 2017.

Hasan Krasniqi i cili vrau me armë zjarri gruan e tij Hysnijen, renë Remzijen dhe më pas veten, në  Policinë e Kosovës ishte raportuar para rreth 2 viteve për një kërcënim me armë dhe lëndime në familjen e tij.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, nëpërmjet telefonit  ka thënë për KosovaPress se në stacionin policor jugu në Prishtinë më 7 gusht 2017, ndaj personit H.K, janë iniciuar veprat kanosje, lëndim trupor dhe mbajtje në pronësi, kontroll, apo posedim i pa autorizuar i armës.

Ahmeti thotë se personit të dyshuar i është konfiskuar një armë zjarri dhe ndaj tij lidhur me rastin në fjalë më datën 11.08.2017, është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Ky fakt është shqetësues për Ehat Miftarajn  nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas Miftarajt, nëse Prokuroria e Shtetit do të ndërmerrte, rasti i djeshëm tragjik në rrugë “Bill Clinton” nuk do të ndodhte.

Miftaraj thotë se fakti që ky person(Hasan Krasniqi vrasësi) ka pasur precedent edhe më herët, ku ka kërcënuar gruan dhe familjen e tij, tregon se institucionet përkatëse nuk i kanë kushtuar rëndësi për trajtimin e këtij rasti.

“Në kuadër të ligjit të aplikueshëm është vepër penale trajtimi i detyrueshëm psikiatrik, që nënkupton se personat të cilët kanë probleme të tilla sikurse rasti i djeshëm, institucionet marrin masa paraprake për trajtimin e detyrueshëm nëpër institucionet e specializuara. Vet fakti se ky person ka pasur precedent edhe më herët, i cili ka kërcënuar gruan dhe familjen e tij,  duket se institucionet përkatëse nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur për ta trajtuar këtë rast, siç është rasti konkret ku kemi tri viktima, dy prej tyre në bazë të asaj që është dal në publik kanë qenë të pafalshme”, thotë Miftaraj.

Ai theksoi se për këtë duhet një analizë gjithëpërfshirëse, ku përveç Prokurorisë, Policisë, gjyqësorit, duhet të përfshihen edhe akterët tjerë siç janë punëtorët social, psikiatër dhe të tjerë, sepse prokurori i shtetit përveç luftimit të kriminalitetit, ka për obligim që nëpërmes masave të parandalojë veprat e tilla të vrasjeve.

“Në radhë të parë sigurisht që prokurori i shtetit përveç luftimit të kriminalitetit, ka për obligim që nëpërmes masave të parandaloj veprat e tilla. Në këtë rast duhet shikuar se një person i cili ka pasur rast të hapur edhe më herët dhe nuk e kanë trajtuar këtë rast në mënyrë profesionale, që nënkupton se  prokurori i shtetit ka pasur komunikim me policinë dhe me institucionet tjera të pavarura për të zbuluar problemet mendore të personit në fjalë. Nëse një person dy tri herë është raportuar në polici dhe ka pasur kërcënime se do ta vras gruan dhe të tjerët, dhe nëse ky person nuk ka marr trajtimin e duhur dhe prokuroria nuk ka pasur kërkesa për paraburgim, atëherë sigurisht që vijmë në rrethana të tilla kur të njëjtit persona ju jepet mundësia që të blejnë një armë të re dhe të kryejnë vepra penale të tilla”,  ka thënë Miftaraj.