Avokati i Ferid Aganit e quan skandaloz vendimin e gjykatës

Avokati i Ferid Aganit e quan skandaloz vendimin e gjykatës

Vendim skandaloz po e cilëson avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, Urim Vokshi vendimin e Gjykatës Themelore, ku Agani është shpallur fajtor për rastin e njohur si “Stenta 1”.

Vokshi e ka quajtur vendimin e gjykatës skandaloze për shkak se sipas tij, dispozitat ligjore e përcaktojnë se subvencionet nuk do të duheshin t’i përmbaheshin procedurave të prokurorimit publik.

Avokati i ish-ministrit në një bisedë me Insajderin ka thënë se Agani do të kryente vepër penale do të vepronte sikurse t’i nënshtrohej procedurave të prokurimit.

“Vendimin e gjykatës e cilësojmë skandaloz për shkak se në mënyrë të qartë në dispozita ligjore thuhet se nuk duhet të zbatohet prokurimi publik për fonde të cila janë nga kategoria e subvencionve dhe pikërisht ka bërë zotëri Agani, ndërsa për të njëjtën çështje është gjet fajtor e cila është një absurditet i llojit të vetë theksojmë se përderisa eksiton obligimi ligjor i njëjti do të kishte kryer vepër penale po të mos vepronte ashtu siç ka vepruar dhe jo të dënohet për diçka që është e rregulluar me ligj”, ka deklaruar ai.

Mes të tjerash avokati thotë se Agani është dënuar edhe për periudhë kohore që sipas tij nuk kishte qenë ministër. Ai thotë se këtë gjë e kanë dëshmuar në gjykatë, por që thotë se gjykata ka vazhduar njëjtë. E quan anomali gjyqësore.

“Vërtetë është e pakuptim kjo është dëshmuar edhe nga vetë dëshmitarët që janë propozuar nga vetë dëshmitarët që për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve nuk zbatohet prokurimi publik, ndërsa gjykata në mënyrë absurde e dënon, përse nuk ka ndjekur këto procedura dhe nuk ka shpallur tender e që me të vërtetë për ne është e pakuptimtë dhe veç kësaj ka edhe të tjera shkelje dhe argumentime absurde ku i njëjti dënohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në të cilën nuk ka qenë ministër i shëndetësisë”.

“Ne vazhdimisht kemi argumentuar se për cilën periudhë zotëri Agani ka qenë ministër, por për kundër kësaj gjykata ka vazhduar dhe e dënon për një periudhë i cili nuk ka qenë ministër, ne me të vërtetë nuk dimë se çfarë të kuptojmë prej kësaj anomalie gjyqësore”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Vokshi ka thënë se për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj Ferid Aganit do të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Gjithsesi ankesë do të ushtrojmë posa ta posedojmë vendimin dhe shpresojë se gjykata e apelit do ta trajtojë të njëjtën dhe do ta prish vendimin e Gjykatës Themelore ose do të marr vendim meritor për shkak se faktet janë të qarta dhe në pafajësi të Aganit”, ka deklaruar avokati Vokshi.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani janë shpallur sot fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 1 janarit 2011 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Kujtojmë se Agani, deri në plotfuqishmërinë e vendimit i akuzuari nuk do ta vuaj dënimin. Agani është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër, Gani Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv./Insajderi.com