Një parti kundër një “lepurushi” – VV proteston sot kundër kryeprokurorit

Një parti kundër një “lepurushi” – VV proteston sot kundër kryeprokurorit

Lëvizja Vetëvendosje, sot nga ora 11:55 do të protestojë para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi me moton “Lepur ik, duam Republikë”.

VV-ja ka thënë se kryeprokurori Lumezi nuk po i ndjekë krimet e luftës dhe të pasluftës.

Sipas VV-së, Aleksandër Lumezit nuk i frikësohen presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe asnjë ministër i Qeverisë.

“Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre”, thuhet mes tjerash në njoftimin e protestës.

Kurti dje në T7 e ka quajtur Lumezin “lepurush”, teksa ka kritikuar kryeprokurorin për mosndjekje të grupeve kriminale në vend.

VV, në njoftimin e protestës ka përmendur edhe kërcënimet e kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj.

“Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë për atë kërcënim”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se “me këso lepurushash nuk mbahet republika e nuk bëhet shteti. Me hajna nuk ka shtet, por as me lepurusha nuk bëhet shteti”.

Për këtë protestë, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë gati edhe autobusët për qytetarët e komunave të tjera. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar transport falas për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar.

Për orarin e nisjes së autobusëve, Qendrat e VV-së në Komunat Kryesore kanë njoftuar në faqet e tyre zyrtare. Nisja fillon nga ora 09:00 deri në orën 10:30.

Nisja nga Mulliri i Haxhi Zekës në Pejë, në orën 09:00.

Nisja nga Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, në orën 10:00.

Nisja nga parku i qytetit në Vushtrri, ora 10:30.

Nisja nga oborri i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj, në orën 10:30.

Nisja nga ish-hoteli Adriatik në Mitrovicë, në orën 10:00. Nisja nga stacioni i autobusëve në Besianë, në orën 10:30. /Insajderi.com