Dy komuna të veriut kanë 13 milionë euro borxh për ujë

Dy komuna të veriut kanë 13 milionë euro borxh për ujë

Në kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” kanë precizuar se borxhi për ujë i komunave veriore është 13 milionë euro. Në anën tjetër Miodrag Raliq, drejtor i Ujësjellësit në veri të Mitrovicës, nuk ka pranuar se borxhet e ujit janë 13 milionë euro, duke konstatuar se ato janë vetëm vlerësime paushalle.

Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, të cilat me ujë të pijshëm furnizohen nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës, kanë borxh për ujë të pijshëm mbi 13 milionë euro.

Banorët e këtyre komunave nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e harxhuar, ndërsa shpenzimet as nuk u janë faturuar qytetarëve, shkruan më tutje “Zëri”.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” herë pas herë, por borxhet janë akumuluar deri në atë masë saqë tashmë është vështirë të inkasohen.

Drejtori i ujësjellësit rajonal “Mitrovica”, Sami Miftari, ka thënë se Qeveria e Kosovës deri më tani ka paguar 6 milionë euro kompensim për ujin e harxhuar për veriun e Kosovës.