Shkruan: Fatmir Bajraj
Kancelarja e Hekurt, Angela Merkel, të mos jetë kopje e Kancelarit të Hekurt, Otto Bismarku!
Takimi i Berlinit, i 29 Prillit 2019, të jetë thellbësisht i ndryshëm nga Kongresi i Berlinit 1878. Kosova kurrë më s’do pranojë të bëhet plaçkë tregu e destinuar për plotësimin e orekseve Serbo-Ruse në Ballkan dhe në Evropë, ata të cilët nuk kuptojnë këtë fakt historik, janë të destinuar t’a përsërisin historinë.
Sot Kosova në veçanti, dhe shqiptarët përgjithësisht, nuk janë aty ku duhet, falë edhe padrejtësive historike të shkaktuara nga pushtuesit shekullor në njërën anë, por edhe vendimeve të padrejta të Fuqive të mëdha, për interesat e tyre gjeo-politike & gjeo-strategjike, siç ishin Pakti i Shen Stefanit dhe Kongresi i Berlinit.
Harta politike shqiptare në Ballkanin Perëndimor, ka marr formën e prerë me hyrjen triumfale të Aleancës Verio-Atlantike, SHBA-të në krye të NATO-në në Kosovë me 12 qershor 1999. Kjo hartë ishte përmirësim i vogël por domethënës i një padrejtësie historike kundrejt shqiptarëve në trojet e veta etnike stërgjyshore, dhe e njëjta, u legjitimua me akte relevante ndërkombëtare në proceset e koordinuara të lirisë, pavarësimit e shtet-ndërtimit, nga Bisedimet e Vjenës për Statusin, Ri-shpalljen e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, Njohjet ndërkombëtare, Pavarësinë e mbikëqyrur dhe deri tek Shtet-bërja tok me miqtë tanë Euro-Perëndimor dhe SHBA-së!
“Ndryshimi” i interesave gjeo-strategjike & gjeopolitike në Evropën e Bashkuar, Euro-Azi dhe përtej Atlantikut, në njërën anë, dhe krijimi i aleancave fluide të derivuara nga këto ndryshime, nuk guxojnë të prekin interesin nacional shqiptarë në Ballkanin Perëndimor, dhe aq më pak të cenojnë e vejnë në dyshim integritetin territorial të Shtetit të Pavarur të Kosovës, si kompromis maksimal i shqiptarëve në Ballkanin Perëndimorë si zgjidhje të dhimbshme kompromisi, duke lënë jashtë Shteteve tona Nacionale, Shqipëri & Kosovë, viset e banuara me shqiptarë etnik, në Kosovën Lindore & Iliridë.
Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur me të drejtat suplementare për pakicat, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe e interesuar fortë & fuqishëm, për realizimin në plotëni të lirive dhe të drejtave kombëtare për shqiptarët etnik në trojet e veta në ish Jugosllavi ; në Kosovën Lindore dhe në Iliridë, është minimumi nën të cilin shqiptarët në Ballkanin Perëndimorë nuk mund të shkojnë. Nëse ky stad i yni, i njohur e konfirmuar botërisht ; cenohet dhe rrezikohet, atëherë shqiptarët dhe shqiptarëve gjithandej iu imponohet kalimi në një zgjidhje të natyrshme si komb: Bashkimi i Kombit në trojet e veta…!
Për dallim nga Berlini i Kancelarit të Hekurt, Otto-Bismarkut, ku shqiptarët nuk ishin të ftuar në Kongres, nuk trajtoheshin si faktor dhe nuk njiheshin si njësi, Berlini i Kancelarës së Hekurt, Angela Merkel, i ka të ftuar të takimit ; Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, përballë, Presidentit dhe Kryeministres serbe; Vuqiq & Bernabiq.
Falë këtij momentumi & konteksti, përfaqësuesit legjitim & legal të republikës së Kosovës, e kanë obligim shtetëror & detyrim Kushtetues, ruajtjen e qenies dhe shtetësisë së pakontestueshme të Kosovës, duke ruajtur integritetin & sovranitetin e vendit, si dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008. Pra, kujdes; Kosova jo në tavolinë, por në anën e kundërt të tavolinës & palës tjetër, të barabartë në bisedime- Serbisë armike…! Si palë të barabarta në bisedime dhe në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes dy-paleshe që konfirmon njohjen e ndërsjellë dhe reciprocitet ekuivalent në mbrojtjen e pakicave jashtë kufijve shtetëror të të dyja vendeve respektive; Serbi & Kosovë!
Berlini ta ketë të qartë: Asnjë zgjidhje dhe ofertë, e cila bie në kundërshtim më interesin Nacional-Shtetëror të Republikës së Kosovës, e arritur me sakrificën dhe flijimin e brezave ndër shekuj, edhe ashtu të cunguar si kompromis historik deri të Liria, tek populli shumicë i Kosovës (shqiptarët) nuk do të pranohet dhe as kapërdihet kurrë…! Berlini, Parisi & Brukseli, njësoj sikur Prishtina & Beogradi, duhet ta kenë të qartë: Kosova është Shtet Sovran & Demokratik i merituar dhe jo plaçkë që mund të përdoret si monedhë për kusuritje në aleancat fluide, si e tillë; nuk shit-blihet dhe as falët.