Britania e Madhe vjen në Rahovec

Shkruan: Leart Hoxha

Britania e Madhe vjen në Rahovec

Janë disa shkrime për të cilat, ende pa i botuar e ke ndjenjën se mund të keqkuptohesh si autor dhe si njeri, por kur e peshon këtë rrezik thua “punë e madhe” dhe e përfundon shkrimin. Ky është një nga ato shkrime.

Finalja e Superligës

Rahoveci u plasua në finale të Superligës së Kosovës në basketboll, madje pasi në gjysmëfinale mundi Golden Eagle Yllin nga Suhareka dhe tash në finale do të ballafaqohet me Z Mobile Prishtinën.

Finalja do të jetë pjesa përfundimtare e një sezoni në basketboll që nisi pa KB Pejën, që ndërpreu veprimtarinë për shkak të borxheve gjashtë shifrore ndaj lojtarëve, FIBA-s, FBK-së dhe firmave të ndryshme në Kosovë, me Bashkimin kampion ku dy herë u ndërrua kryesia dhe borxhet janë në rritje, me Borean që ra nga liga dhe për herë të parë pas më shumë se një çerek shekulli Peja nuk ka ekip në Superligë dhe kuptohet, Ponte Prizrenin, debutantin që arriti deri në plejof.

Trepça pati edhe një sezon të “menaxhimit të krizës” dhe “kufizimit të dëmit”, kurse Lipjani debutoi dhe mbijetoi në Superligë, duke mundur në plejaut Vëllaznimin.

Këtyre ekipeve sezonin e ardhshëm iu shtohet edhe Feronikeli, që për një vjet garim hyri me wild card në Ligën e Parë, aty doli kampion dhe sezonin e ardhshëm është në elitë.

Pra, basketboll të nivelit të Superligës kemi në Suharekë, Rahovec, Lipjan e Drenas, Prizreni i ka dy klube, por asnjërin në element, basketboll nuk kemi fare në Ferizaj, gati që nuk ka asgjë në Pejë, mezi mbahen klubet në Gjakovë e Gjilan, kurse Trepça mbijeton me “çykë të zorit” përkundër fuqisë politike dhe potencialit sportiv që e ka Mitrovica.

Pyetja logjike është si mbërrinë që qytezat dhe fshatrat të zhvillojnë klube të mira dhe klubet nga qytetet të bankrotojnë  ose të mbijetojnë me zor?

Kjo është ajo pjesa ku rrezikoj të keqkuptohem – suksesit të klubeve të reja i gëzohem shumë, por shuarjen e klubeve me traditë nuk mund të mos e vajtoj.

Britania e Madhe vjen në Rahovec

Edhe pse secili nga këto tregime është i veçantë, janë disa pika të përbashkëta në të dyja këto raste (ngritjen e klubeve nga vendet e vogla dhe dështimin e klubeve nga qendrat), që duhet të theksohen.

Ylli dhe Rahoveci janë shembujt më të mirë të mundshëm se çka mund të bëjë një kryesi dhe disa biznismenë për vendlindjen. Golden Eagle, gjegjësisht Frutex, sponsoron në basketboll më pak sesa në fushatat tjera reklamuese, por në Suharekë salla është e mbushur në çdo ndeshje dhe rreth kësaj kompanie janë bashkuar edhe disa biznese tjera të Suharekës. Kur kësaj ia shton të hyrat nga mbi 1 mijë shikues që paguajnë bileta secilën ndeshje, paratë nga të drejtat televizive që sivjet i ka shitur FBK me kontratë qendrore, qeratë e lira dhe shpenzimet e ulëta për akomodim të lojtarëve të huaj, del të jetë një formulë e suksesit.

Për Rahovecin vlen i njëjti tregim, sponsorët lokalë mbështesin klubin lokal, mirëpo ,duhet shtuar se kryesia e këtij klubi janë njerëz që kanë merita të jashtëzakonshme për mbajtjen gjallë të basketbollit për vite e vite, pa pasur palestër në Rahovec, për shtyrjen politike dhe sportive të projektit të ndërtimit të palestrës dhe për faktin se sivjet askund nuk ka qenë atmosferë më e mirë sesa pikërisht në Rahovec.

Aq mirë është në Rahovec, saqë u zhvillua Final 8 i Kupës, kurse në gusht atje do të luajë kombëtarja e Kosovës. Britania e Madhe do të luajë në Rahovec me Kosovën, kujt do ti shkonte mendja për këtë punë para do kohe?!

Ka qëlluar ashtu që për këtë vendim më është dashur të votoj dhe këtë e kam bërë me shumë kënaqësi sepse sivjet Rahoveci ka qenë “the place to be”, për basketboll.

Gati e njëjta gjë vlen për Feronikelin – një kryetar komune dhe një sponsor i përkushtuar, një buxhet solid dhe kampionë të Ligës së Parë në sezonin debutues, meqë kishin një trajner të mirë dhe disa lojtarë të kalibrit të Superligës.

Në anën tjetër, nëse shikon rastet e Pejës, Prizrenit ose Ferizajt, dihet se në këto komuna ka kompani që qarkullojnë miliona dhe sponsorojnë gjithandej, por jo në klubet nga komunat e tyre.

Kjo nuk është gjë e keqe. Sponsorët nuk duhet të jenë lokalistë me automatizëm dhe në kohën e globalizmit dhe kohën kur kinezët dhe arabët kontrollojnë futbollin në Evropë, kjo është e paparamendueshme.

Kjo është thjesht gjendje faktike dhe si e tillë nuk është e mirë. Basketbolli e ka shumë vështirë të zhvillohet në Kosovë nëse nuk ka klube normale në pesë nga shtatë qendrat e vendit, e posaçërisht në Pejë, Gjakovë e Mitrovicë, ku ky sport ka edhe traditë.

Nuk mund të zhvillohet basketbolli në Kosovë, nëse në Prishtinë nuk ka një klub të dytë normal dhe këtu për faj të menaxhimit të keq, politikës, ndikimit të Prishtinës si klub i madh, ose faktorëve tjerë janë shuar shumë klube premtuese.

Klubet e “mëdha” janë në borxhe deri në fyt pak për shkak të ambicieve që shkonin përtej çdo mundësie buxhetore dhe logjike sportive, pak për shkak gjendjes jostabile ekonomike me sponsorë dhe asnjëra nga to nuk po tregon shenja se mund të kthehet së shpejti, gjë që është shumë shqetësuese.

Mësimet në pësime

Klubet e reja që janë ngritur shpejt, për të qëndruar në majat ku janë aktualisht, një gjë e kanë të domosdoshme – të nxjerrin mësime nga pësimet e klubeve që kanë qenë në maja dikur.

Nëse i shikon ndeshjet e Rahovecit, Feronikelit por edhe Yllit e Lipjanit e vëren një gjë – asnjë nga lojtarët që luan minuta të rëndësishme nuk është rritur dhe formuar në këto klube, asnjë nga trajnerët e tyre nuk janë formuar në këto klube, madje ka raste kur nuk kanë as kohëmatës e procesmbajtës që e kryen punën si duhet.

Nëse mbështeten vetëm në “importe” dhe nuk krijojnë bazë të lojtarëve të rritur në klube, nëpër ekipe të të rinjve, me të cilët më lehtë lidhet publiku emocionalisht dhe të cilët talentin dhe dijen e shfrytëzojnë në komunitetin ku janë rritur, këto klube nuk e kanë gjatë.

Ky është parashikim i errët, por i bazuar në atë që kemi parë në basketbollin e Kosovës për vite e vite.

Në anën tjetër në Prizren e Prishtinë, por edhe qendrat tjera, shkolla të basketbollit ka sa të duash, por lojtarët nga këto komuna nuk mbërrijnë te ekipet e seniorëve, kryesisht për shkak të trajnerëve të këqij, por edhe kushteve të këqija dhe problemeve brenda klubeve të mëdha.

Jemi pra, dëshmitarë të një kohë interesante ku sporti mund të zhvillohet duke u përhapur potenciali i lojtarëve në tërë Kosovën, apo në valën e dytë të klubeve që shkëlqejnë dhe shuhen për të mbetur të shuara për shumë gjatë.

Me pak logjikë të shëndoshë dhe punë për së mbari mund të bëhen gjëra të mëdha, sepse më herët ka pasur gabime të mëdha, të cilat nuk bën përsëritur assesi.