
Dyvjeçarja nga Gjilani, Agnesa Musliu, 1 muaj pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të parë, ishte përvëluar me ujë të valuar. Ajo kishte pësuar djegie të shkallës së tretë në një pjesë të fytyrës dhe në trup.
Babai i saj, Xhaferi, tregon për “HUMAN” se gjithçka kishte ndodhur, pasi në shtëpinë e tyre për disa javë nuk kishte energji elektrike.
“Vajza është përvëlua në aksham, unë nuk kom qëllu në shtëpi. Shoqja u kanë duke e vënë një dritë të bardhë, duke zhdryp prej bllokut ju kanë marr mentë edhe ka ra përmbi gjyma…”, ka thënë ai.
Musliu tregon se në momentin kur e ka pa vajzën në atë gjendje, ishte tmerruar.
Ai thotë se e ka marrë vajzën dhe janë nisur menjëherë për në spitalin e Gjilanit, ku edhe Agnesa ishte pranuar si rast urgjent.
Për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën kishte qenë dyvjeçarja, më pas ishte transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Në atë gjendje kur e kom pa vajzën, shka kom mujt e kom çu në spital në Gjilan. Prej Gjilanit e kom çu në Prishtinë….”, shton Musliu.
Në QKUK, atë kohë njëvjeçarja i ishte nënshtruar një intervenimit kirurgjik.
“Mjeku i vet e ka mjeku, do lëkurë, ia ka marrë edhe ia ka vnu në gjoks…vajza është e djegtë…”, shton tutje.
Pas kësaj, Agnesa duhej të përdorte disa terapi, mirëpo në shumë raste, familja nuk ka pasur mundësi t’ia sigurojë. Në momentin kur më e vogla e familjes Musliu, u përvëluar me të ishte edhe nëna e saj Qazimja.
Ajo rrëfen se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.
Agnesa, tashmë është dyvjeçare. Sipas konstatimeve të fundit të mjekëve, ajo duhet t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik.
Ky intervenim mund të bëhet në kirurgjinë plastike në QKUK, mirëpo familja Musliu nuk ka mundësi t’ia sigurojë pajisjet mjekësore që i nevojiten vajzës së tyre.
Në raportin specialistik nga klinika e kirurgjisë plastike i është shkruar terapia të cilën duhet ta përdorë. Gjithashtu, thuhet se Agnesa duhet të përdorë tesha kompresive në regjionet e përfshira në djegie.
“Në mungesë të ekspanderave nënlëkurore të cilat klinika jonë nuk ka mundësi për t’i siguruar. Pas rreth një viti preferojmë intervenime kirurgjike të largimit parcial të kelloideve të regjioneve që paraqesin pengesa funksionale dhe fytyrës, të cilat realizohen në klinikën tonë. Këtë sezon të përdorë teshat dhe të mos ekspozohet rrezeve të diellit”, thuhet në raportin mjekësor.
Përveç Agnesës, edhe vëllai i saj 13 vjeç ka disa probleme shëndetësore.