
Hajdar Beqa, i arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një rrahje. Këto janë informacionet që shfaqen në një imazh të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është publikuar në Facebook nga një faqe e quajtur “LDK për Kosovën”.
Rasti misterioz që e përfshin Beqën në një rast të dyshuar për “lëndim të lehtë trupor” nuk është raportuar asnjëherë më parë, por disa ditë më parë është publikuar në Facebook nga faqja e rrjetit social Facebook, “LDK për Kosovën”.
“Ky është avokati i Hashim Thaçit”, shkruan ‘LDK për Kosovën’ në përshkrimin e fotografisë, e cila besohet se ishte shkrepur në vitin 2004.
Insajderi ka provuar gjatë ditës së premte të kontaktojë me Beqën, por deputeti nga radhët e PDK-së fillimisht nuk e ka hapur telefonin e më pas telefoni i tij ka qenë i shkyçur. /Insajderi.com