Sipas Hashim Thaçit, Edi Rama sot do të jetë në Prizren

Sipas Hashim Thaçit, Edi Rama sot do të jetë në Prizren

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të qëndrojë sot në Prizren, ku do drekojë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vizitën e tij në Prizren e pati lajmëruar vetë presidenti Thaçi në punimet e seminarit “Rosë Rothe” të Asamblesë Parlamentare të NATO-së që po zhvillohej në Prishtinë.

Megjithatë, deri më tash asgjë nuk është paralajmëruar nga Zyra e Presidentit për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Kosovë.

Në Seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Thaçi kishte deklaruar se nuk ka ndonjë aspiratë për ndryshimin e kufijve me Shqipërinë, përkundrazi synojnë hapjen  e kufijve sipas standardeve evropiane.

Ndër tjerash, ai pati theksuar se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë është i shkëlqyer dhe se ky bashkëpunim është një bashkëpunim i standardeve dhe vlerave euroatlantike.

“Me Shqipërinë kemi raporte të shkëlqyera të bashkëpunimit institucional. Para dy ditësh jam takuar me kryeministrin Rama, pasnesër do të kemi drekë me kryeministrin Rama në Prizren. Po ky bashkëpunim i yni duhet t’i gëzojë, sepse është bashkëpunim i standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe në asnjë mënyrë nuk duhet shikuar me dyshim. Ne nuk e kemi asnjë aspiratë as si Kosovë, as si Shqipëri ndryshimin e kufijve përkundrazi hapjen e kufijve sipas standardeve evropiane”, kishte deklaruar presidenti Hashim Thaçi./Insajderi.com