Ministrja Hoxha inkurajon gratë të mos heqin dorë nga e drejta pronësore

Ministrja Hoxha inkurajon gratë të mos heqin dorë nga e drejta pronësore

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, inkurajon gratë që të mos heqin dorë nga e drejta pronësore që u takon me ligj.

“Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, një gruaje njëjtë si një burri, i garantohet e drejta në pronë, e drejta në trashëgimi. Çështje thelbësore është pyetja: Pse gruaja heq dorë nga diçka që i takon ligjërisht”, theksoi ministrja Hoxha.

Ajo tha se avancimi i të drejtave të grave në pronë nuk mund të trajtohet ndaras nga fenomenet tjera sociale dhe ekonomike. Megjithatë, heqja dorë nga pasuria, sipas saj, është e drejtë e secilit, duke shtuar se kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në shkëputje të grave nga kjo e drejtë.

“Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, të barazisë dhe fuqizimin e gruas dhe të drejtave të saj, kjo fushë do të jetë një nga prioritetet e mandatit tim, andaj, jam krenare që sot po kontribuojmë bashkë me këtë aktivitet duke i shërbyer këtij qëllimi”, shtoi ajo.

Gjithashtu, Hoxha theksoi përkushtimin e saj që të fuqizohet zbatimi i legjislacionit, ndërsa në kuptim të ndërtimit të mekanizmave ligjor mbrojtës të kësaj barazie, do të ofrohet mbështetje e duhur institucionale.

Këto deklarime ajo i bëri gjatë konferencën me temë “Procesi i trashëgimisë – zvogëlimi i informalitetit dhe garantimi i të drejtave pronësore të gruas në Kosovë”, mbështetur nga USAID – programi i të Drejtave Pronësore./Insajderi.com