KEK reagon ashpër ndaj Gashit: S’iu nënshtrohemi presioneve, pranuam në punë ata që i plotësuan kushtet

KEK reagon ashpër ndaj Gashit: S’iu nënshtrohemi presioneve, pranuam në punë ata që i plotësuan kushtet

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi,  i cili përmes një deklarate për medie ka thënë se banorët e kësaj komune janë anashkaluar nga punësimi në këtë Korporatë.

KEK-u ka njoftuar se të gjithë ata banorë të Obiliqit që kanë plotësuar kriteret e konkursit dhe kanë kaluar me sukses testet apo edhe kanë qenë të barabartë me ndonjë kandidat tjetër, kanë fituar vend pune.

Ata thonë se me kohë e kanë njoftuar Qeverinë dhe akterët e tjerë se nuk do të lejojnë punësime në forma tjera përveç sipas kritereve të konkursit dhe duke respektuar ligjin e punës.

“Punësimi në korporatë bëhet vetëm pas zhvillimit të gjitha procedurave të rekrutimit në përputhje të plotë me Ligjin e Punës në fuqi, Udhëzimet Administrative të aplikueshme si dhe rregulloreve të brendshme të KEK-ut”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre janë afër 20 persona që janë punësuar nga zona e Obiliqit dhe të gjithë kanë plotësuar kriteret dhe kanë qenë kandidatë që kanë kaluar me sukses testet.

Ndërkaq sa i përket punësimit të banoreve të zonave Hade dhe Shipitull, numrit prej 150 sa flitet që kanë kërkuar punësim, KEK-u thotë se e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës për profilet e vendeve të lira të punës për dy vitet e ardhshme derisa thonë se nëse ka një vendim nga Qeveria për punësimin e tyre në formën se si po kërkohet atëherë natyrisht se KEK-u është i detyruar ta respektojë atë vendim sepse Qeveria është aksionar i KEK-ut.

“Çdo formë tjetër e presionit apo veprime të tjera nga kushdo qofshin nëse e rrezikojnë sigurinë e punës në KEK apo tentojnë të ndërpresin procesin e punës me protesta dhe veprime të tjera do të ballafaqohen me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Korporata Energjetike ndër të tjera ka thënë se nuk do t’i nënshtrohen asnjë presioni që vie nga grupe të caktuara interesi apo politike.

“Korporata Energjetike e Kosovës është ndërmarrje publike dhe pasuri e gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj si të tillë kemi përgjegjësi juridike dhe morale ta ruajmë nga çfarëdo interesi tjetër.
Në këtë drejtim, janë të pa pranueshme deklaratat dhe paralajmërimet për protesta me qëllim të ushtrimit të presionit për të punësuar grupe njerëzish pa respektuar procedurat e konkursit e duke bërë shkelje ligjore”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, Korporata Energjetike e Kosovës është kompania publike me e suksesshme në vend dhe kjo është arritur falë përkushtimit dhe punës shumë të madhe që është bërë tash e mbi një dekadë.

“Kemi arritur ta ruajmë Korporatën nga mbi punësimi përkundër nevojave të mëdha për kuadro të kualifikuar dhe moshës mesatarë shumë të lartë të punëtorëve. Kemi investuar miliona në komunitet dhe i jemi gjendur afër qytetarëve të Obiliqit dhe Komunës për çfarëdo nevoje që është paraqitur”, thonë ata.

KEK-u ndër të tjera ka përgënjeshtruar deklaratat e të parit të Komunës së Obiliqit lidhur me mos-investimet në gjelbërim duke thënë se kanë investuar miliona euro në përmirësimin e ambientit dhe kanë marrë pjesë me stafin dhe gjithë makinerinë punuese për të pastruar fshatra dhe lumenj në gjithë regjionin e Obiliqit dhe Prishtinës.

“Kemi kryer obligimet tona ndaj banorëve të zonave të dislokuara me përgjegjësi të lartë duke respektuar të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Kemi bërë maksimumin që në afat rekord t’i kryejmë të gjitha obligimet tona financiare pavarësisht kostos së lartë dhe mbivlerësimin që i është bërë aseteve të banorëve që kanë qenë në zonën e interesit nacional”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre./ Insajderi.com